Nevoja për energji deri në vitin 2040 do të rritet me 30 për qind

Pjesa dërmuese e kërkesës në rrafsh global do të jetë nga India, ndërkohë që Azia Juglindore është një tjetër gjigant që po shfaqet në tregun e energjise

Bota

14/11/2017 23:27

Nevoja për energji në rrafsh global, do të rritet me një tempo më të ngadalësuar se më parë, megjithatë do të rritet me mbi 30 për qind në periudhën nga tani deri në vitin 2040, thuhet në buletinin e publikuar të martën nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (ANE) për vitin 2017, raporton Anadolu Agency (AA).

Në raport thuhet se është shuma ekuivalente me një Kinë dhe Indi tjetër të shtuar në kërkesën globale. Pjesa dërmuese e kërkesës në rrafsh global do të jetë nga India, ndërkohë që Azia Juglindore është një tjetër gjigant që po shfaqet në tregun e energjisë, me kërkesë dyfish më të madhe se Kina. Në përgjithësi, shtet aziatike në zhvillim përbëjnë dy të tretat e rritjes energjetike globalisht.

Në buletin theksohet se kërkesa për naftë vazhdon të rritet, ndërsa për gazin natyror deri në vitin 2040 do të rritet për 45 për qind. Në raport është vënë theksi edhe te energjia bërthamore, ku ANE thekson se Kina vazhdon të shënojë rritje të prodhimit, e cila në vitin 2030 “do të tejkalojë SHBA-të duke u bërë prodhuesi më i madh i energjisë elektrike të prodhuar nga energjia bërthamore”.

Kina kryeson në tranzicionin energjetik

Kina ka përzgjedhur të luaj një rol të madh në diktimin e trendeve globale, thuhet në raportin e ANE-së, ku shtohet se ajo mund të sjellë nxitjen e një tranzicioni më të shpejtë të energjisë së pastër. Shkalla e zhvillimit të energjisë së pastër në Kinë, eksportet e teknologjisë dhe investimet e jashtme e bëjnë atë një përcaktues kyç të tranzicionit të energjisë me sasi të ulët të karbonit. Raporti vë në dukje se një e treta e energjisë së re të prodhuar nga era dhe instalimet diellore në Kinë, janë të bazuara në skenarin 2040.

Raporti gjithashtu thekson se në rrafsh global, Kina merr pjesë me mbi 40 për qind në investimet në automjetet elektrike. Në mesin e viteve 2020, SHBA-të pritet të jenë eksportuesi më i madh në botë i gazit natyror të lëngshëm, thuhet në buletinin e publikuar të ANE-s..