Neuer gëzon Bayernin

Portieri i Bayern Munichut, Manuel Neuer beson se do të jetë në gjendje të luajë kundër Real Madridit të mërkurën, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në Santiago Bernabeu.

Sport

18/04/2014 10:20

Bayern Munich ka marrë një lajm të mirë se portieri Manuel Neuer do të jetë gati për t’u paraqitur në duelin me Real Madridin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve të mërkurën.

Reprezentuesi gjerman u zevendësua pas përfundimit të pjesës së parë në humbjen e javës së kaluar në Bundesligë nga Borussia Dortmund për shkak të një lëndimi.

Mirëpo, Neuer, i cili mungoi në fitoren ndaj Kaiserslauternit të mërkurën në gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë, ka shprehur besimin se do të jetë i gatshëm për të luajtur në duelin e parë kundër Los Blancos në Santiago Bernabeu.

“Ndihem shumë mirë. Besoj se do të mund të luaj të mërkurën”, deklaroi Neuer për uebfaqen zyrtare të Bayernit.

Pasi u paraqit si titullar në fitoren 5:1 ndaj Kaiserslauternit, 20-vjeçari Lukas Raeder edhe njëherë tjetër pritet të luajë në vend të Neuerit në takimin kundër Eintracht Braunschëeig të shtunën.