Netanyahu: Izraeli do të kundërpërgjigjet ashpër për provokimet nga Gaza

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka theksuar se forcat izraelite do të kundërpërgjigjen në mënyrë të ashpër ndaj çdo sulmi të kryer nga grupet palestineze mbi territorin e shtetit të tij, raporton Al Jazeera.

Bota

12/11/2017 23:36

“Pavarësisht se për kë bëhet fjalë, ne do të kundërpërgjigjemi në mënyrën më të ashpër ndaj çdo sulmi apo provokimi. Paralajmërojmë të gjitha organizatat, grupet dhe elementet e tjera në Gaza”, ka thënë Netanyahu në takimin e sotëm të qeverisë së tij.

Ai është shprehur, se për secilin provokim dhe sulm të kryer mbi Izraelin, fajin do ta kërkojë te Hamasi, ndërkohë që mesazhi i tij vjen në kohën e pakënaqësive të shprehura për vrasjen e të paktën 12 palestinezëve gjatë shembjes së tunelit nëntokësor në kufi me Gazën, që ndodhi ditë më parë, transmeton Klan Kosova.

Paralelisht me këtë, ushtria izraelite ka nisur mëngjesin e sotëm një stërvitje të madhe ushtarake në kufi me Rripin e Gazës. Duke u bazuar në burime anonime, mediat izraelite raportojnë se stërvitja ushtarake do të vazhdojë deri të mërkurën, dhe se qëllimi kryesor i saj është kontrolli i gatishmërisë së forcave izraelite të sigurisë