Netanyahu befason, edhe një fitore

Partia e krahut të djathtë, Likud, e kryeministrit aktual Benjamin Netanyahu, ka dalë fituese e zgjedhjeve të përgjithshme në Izrael, të cilat u mbajtën të martën. Rivali i tij, Yitzhak Herzog, edhe pse i befasuar me rezultatin, nuk ka pritur përfundimin e numërimit të votave, por i ka telefonuar kryeministrit duke e uruar për mandatin e ri.

Bota

18/03/2015 09:22

Anketat kishin parashikuar një barazim, por me pothuajse të gjitha votat e numëruara, rezultatet i japin partisë Likud kryesim të qartë ndaj partisë rivale të qendrës së majtë, Bashkimi Zonist.

Rezultati i jep kryeministrit Netanyahu një shans të fortë për formimin e një qeverie të koalicionit të krahut të djathtë. Kështu, mandati i katërt i fituar, e bën Netanyahun njeriun që ka qëndruar më së gjati në detyrë, si kryeministër i Izraelit.

Herzog, pasi e ka uruar Netanyahun për fitore, u ka thënë gazetarëve “në këto zgjedhje asgjë nuk ka ndryshuar”, dhe se “partia e tij do të vazhdojë luftën për një shoqëri të drejtë izraelite”.

Partia Likud ka fituar më së shumti vende në parlament, 30, ndërsa Bashkimi Zoist ka marrë gjashtë vende më pak. Megjithëkëtë, në parlamentin 120 vendesh, të fituara kanë dalë edhe parti të tjera të djathta, me të cilat Netanyahu do të përpiqet të krijojë koalicionin e ri qeveritar.

 

Mbështetës të partisë Likud duke festuar fitoren në Tel Aviv
Mbështetës të partisë Likud duke festuar fitoren në Tel Aviv

 

Në një fjalim të mbajtur përpara mbështetësve të tij të ngazëllyer në Tel Aviv, pas mbylljes së qendrave të votimit dhe numërimit të shumicës së votave, Netanyahu ka thënë se tashmë i kishte kryer bisedimet me liderët e partive të djatha dhe të qendrës, dhe se pa vonesë Izraeli do të ketë qeverinë e re.

Netanyahu, i cili duket se ka ftohur marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, të paktën me Administratën e presidentit Barack Obama, dy ditë përpara votimit kishte thënë se nëse izraelitet e votojnë edhe për një mandat, atëherë derisa të jetë në detyrë, nuk do të ketë shtet palestinez.

Duke u nisur nga sondazhet, disa prej të cilave e kishin nxjerrë Herzog-un edhe si fitues të mundshëm, Netanyahu ka thënë se kjo është një “fitore e madhe” dhe se “befasia për mirë është tepër e këndshme”, njofton BBC, raporton lajmi.net.

Qëndrimi i Netanyahut ndaj palestinezëve dhe Iranit e kanë bërë atë një figurë popullore brenda Izraelit, por edhe përçarëse jashtë tij. Gjatë qëndrimit në Washington, dhjetë ditë më parë, ku foli në Kongresin Amerikan, presidenti Obama e komentoi fjalimin e tij si “shumë të mërzitshëm”. Madje Obama nuk u takua fare me Netanyahun, me arsyetimin se nuk dëshiron të ndikojë në politikën izraelite derisa po zhvillohej fushata elektorale. /lajmi.net/