Nesër zgjedhje në Graçanicë, KQZ: Gjithçka gati

Nesër do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Graçanicës. Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thonë se janë bërë të gjitha përgatitjet për këtë proces.

Lajme

17/01/2015 17:18

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të gjitha përgatitjet që procesi i nesërm i zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Graçanicë të shkojnë sipas planeve të parapara dhe pa ndonjë pengesë.

Ndërsa, edhe Prokuroria e Shtetit ka angazhuar tre prokuror kujdestarë të cilët do të merren me parregullsitë eventuale gjatë procesit të votimit.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi tha për KosovaPress, se ata tashmë kanë miratuar planin operacional dhe se kanë bërë të gjitha përgatitjet që procesi i nesërm zgjedhor për kryetar të Graçanicës të shkoj sipas planit të paraparë.

“Tashmë kanë përfunduar të gjitha përgatitjet lidhur me organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Graçanicës që do të mbahen të dielën.

 Ditën e nesërme, në orët e hershme të mëngjesit, do të bëhet shpërndarja e fletëvotimeve nëpër të gjitha vendvotimet, të cilat do të hapen në orën 7 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19. Këto zgjedhje janë vetëm për kryetar të komunës, që do të thotë se votuesi, pasi të përfundojë procedurat e legjitimimit në vendvotim, duhet të zgjedhë njërin nga 4 kandidatët të cilët janë në garë për kryetar të Komunës”, tha Elezi.

Ai theksoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar rreth 400 vëzhgues të cilët do të përcjellin procesin e votimit gjatë ditës së nesërme. Vëzhguesit janë prej subjekteve politike, organizatave jo qeveritare, mediave dhe ambasadave.

Ndërsa, Prokurori i Shtetit për zgjedhjet në Graqanicë, ka ndërmarrë veprime konkrete, duke caktuar katër prokurorë kujdestarë.

Prokurorët kujdestarë do të qëndrojnë në Stacionin Policor në Graçanicë, ku në pajtim me procedurën standarde të veprimit dhe në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës, do të arrestojnë dhe ndalojnë të gjithë personat të cilët janë të përfshirë në keqpërdorimin e votës.