Nesër zbulohet kalendari i sezonit të ri të Superligës

Sezoni i ri i garave i Raiffeisen Superliga e Kosovës në futboll, do të nis më 18 gusht.

Sport

31/07/2018 14:44

Kështu ishte vendosur muaj më parë në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës (KE i FFK-së).

Gjersa FFK-ja ka njoftuar se gjatë ditës së nesërme do të hedhet shorti për sezonin e ri të ligës elitare të Kosovës.

“Nesër në selinë e FFK-së do të bëhet tërheqja e shortit për edicionin e ri të garave në Superligë dhe Ligën e Parë”, shkruan në njoftimin e shtëpisë së futbollit të Kosovës

Theksojmë se shorti për Superligë do të tërhiqet në orën 13:00, derisa për Ligën e Parë në orën 13:30.

Kujtojmë se Liga e Parë dhe Liga e Dytë do t’i nisin garat e edicionit të ri më 25 gusht.

Ndryshe, Drita do të mundohet ta mbrojë titullin e fituar gjatë sezonit të kaluar gjersa Prishtina është fituese e Kupës së Kosovës.