Nesër Zaevi sërish në Prokurori

Lideri i opozitës në Maqedoni Zoran Zaev sipas të gjitha gjasave nesër do të paraqitet para prokurorit publik për rastin “Puçi”.

Lajme

05/04/2015 16:55

Sipas asaj që është e njohur tanimë në opinion, kjo do të jetë vizita e tij e tretë në prokurori për veprën që ngarkohet nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë gjegjësisht dhunë ndaj zyrtarëve të organeve më të lartë shtetërorë në tentativë.

Sipas avokatit të Zaevit, ai ende është duke i shqyrtuar provat e ngritura ndaj tij. Përveç Zaevit, për rastin “Puçi” para prokurorit publik tanimë u paraqitën edhe katër të dyshuarit e tjerë, Verushevski, gruaja e tij, bashkëpunëtori i Zaevit nga Strumica dhe një person që ka punuar në DSK.

Ndërsa i dyshuari i gjashtë e pranoi fajin dhe u morr vesh për dënim me burg prej 2 viteve. Avokati Mirosllav Vuiq, thotë se procedura po zhvillohet sipas afateve dhe kornizave ligjore. Por, ka përshtypje se shumë më ngadalë po punohet për kallëzimet penale kundër funksionarëve qeveritarë, të cilat i ngriti LSDM-ja, raporton Alsat.

“Mirëpo këto kallëzime nuk kanë trajtim të këtillë ose të denoncuarit kanë trajtim tjetër që të kenë urgjencë sikur kallëzimi kundër z. Zaev. Përshtypja ime personale, ndoshta jam gabim, por është përshtypja se në mënyrë shumë ekspeditive po zhvillohet njëri ndërsa për tjetrin nuk kemi as përgjigje e as fjalë se çfarë është duke u vepruar me ato kallëzime, deri ku kanë arritur, a janë proceduar, a bëhet diçka sipas tyre. A bëjnë prokurorët kompetent diçka në këtë drejtim apo jo”, theksoi Mirosllav Vuiq, avokat, pjesë e ekipit juridik të LSDM-së për përgjimet.

Përveç nga përfaqësuesit juridik të opozitës, as në opinion nuk është e njohur se dikujt nga të dyshuarve pas kallëzimeve penale të Zaevit iu janë prezantuar provat apo ka dhënë deklaratë.

Në mesin e personave kundër të cilëve opozita ka dorëzuar kallëzime penale janë kryeministri Nikolla Gruevski, ministrja e brendshme Gordana Jankullovska, shefi i DSK-së, Sasho Mijalkov dhe dhjetëra funksionarë tjerë të lartë qeveritar. Prokuroria publike deri më tani zyrtarisht njoftohet vetëm se kallëzimet penale të LSDM-së janë ndarë 17 prokuror publik dhe se “janë ndërmarrë veprime të caktuara”.

Në njoftimin para 10 ditëve shtuan edhe se kanë vepruar njësoj me të gjitha lëndët, pa marrë parasysh kush e ka dërguar kallëzimin.