Nesër vendoset se ku do të zhvillohet ‘finalja’ mes Prishtinës dhe Dritës

Në prag të ndeshjes vendimtare për titull të kampionit ndërmjet Prishtinës dhe Dritës, kryetari i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, sot e ka zhvilluar një takim me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Sport

14/05/2018 16:45

Ejupi dhe Vokrri kanë biseduar rreth përcaktimit të vendtakimit të Prishtinës me Dritën.

Natyrisht, Ejupi ka kërkuar nga FFK-ja që ndeshja të zhvillohet në stadiumin e kryeqytetit.

“Kryetari Vokrri ka qëndrim pozitiv që ndeshja të zhvillohet në Prishtinë duke e pasur parasysh rëndësinë e ndeshjes”.

“Të martën do të mbahet një mbledhje ndërmjet krerëve të FFK-së, Ministrisë dhe Komunës për të vendosur se ku do të zhvillohet kjo ndeshje. Vendimi sipas të gjitha gjasave do të jetë për stadiumin e Prishtinës”, deklaroi Ejupi për “Zërin” pas takimit me Fadil Vokrrin.