Nesër vazhdon gjykimi për vrasjen e Almir Aliut

Nesër pritet të vazhdojë seanca gjyqësore për rastin e Almir Aliut, e ndërprerë për shkak të mungesës së ekspertizës neuropsikiatrike për të akuzuarin Boban Iliç.

Lajme

23/03/2017 22:20

Avokati i familjes Aliu, Asmir Alispahiç thotë se në raportin e mjekëve është konstatuar se i akuzuari për vrasje ka qenë në vetëdije gjatë kryerjes së aktit dhe ka pasur njohuri për pasojat që mund t’i ketë pas kryerjes së veprës.

“Për seancën e nesërme janë thirrur mjekët të cilët kanë bërë analizën neuropsikiatrike për të akuzuarin Boban Iliç. Me kërkesë të gjyqit dhe të mbrojtjes, mjekët janë thirrur për të argumentuar raportin e shkruar rreth vetëdijes së të akuzuarit kur ka kryer aktin, pra vrasjen e 4 vjeçarit Almir Aliu” deklaroi Asmir Alispahic, avokat i familjes Aliu, shkruan Alsat M.

Sedat Aliu babi i të ndjerit Almir Aliut pret nga organet kompetente që të vënë drejtësinë në vend dhe apelon për mos zvarritjen e procesit gjyqësor.

“Presim si çdo herë që drejtësia të vihet në vend. Ne e dimë se jemi të sulmuar nga pala tjetër, kështu që presim sa më shpejt të kryhet ky proces gjyqësor dhe mos të zvarritet”, ka thënë Sedat Aliu, babai i vogëlushit të ndjerë Almir Aliu.

Almir Aliu humbi jetën pak ditë pasi u shtyp me makinë nga ana e Boban Ilic në natën e 25 qershorit të vitit të kaluar.