Nesër organizohet aksion kundër ngacmimeve seksuale në Universitetin e Prishtinës

Organizata GAS (Grupi Anti Seksist) përmes një komunikate për media ka njoftuar se gjatë ditës së nesërme do të organizojë një aksion simbolik para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, për ta kundërshtuar dukurinë e ngacmimeve seksuale në UP.

Lajme

27/03/2018 16:46

“Studentë dhe studente, qytetarë e qytetare, të shqetësuar/a nga deklaratat skandaloze të Prorektores së Universitetit të Prishtinës, Teuta Pustina – Krasniqi, të cilat arsyetojnë ngacmimin seksual, nesër, ditë e mërkurë (28.03.2018) në orën 12:00 do të organizojnë një aksion simbolik para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, për t’a kundërshtuar dukurinë e ngacmimeve seksuale në UP.

Universiteti Publik i Prishtinës duhet të distancohet nga çdo deklaratë seksiste që vie nga përfaqësuesit e këtij institucioni dhe të shkarkojë ata/ato të cilët e kanë justifikuar fenomenin e ngacmimeve seksuale. Njëherësh, t’u kërkojë falje të gjitha vajzave/grave që kanë përjetu ngacmim seksual brenda universitetit duke nisur menjëherë hetime të rasteve, po ashtu ta rishikojë kodin e etikës dhe funksionalizimin e tij brenda institucionit” thuhet në këtë komunikatë./Lajmi.net/