Nesër në Bruksel bisedohet për kodin telefonik

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, pohoi se takimi i radhës mes palës kosovare dhe asaj serbe do të mbahet nesër, në të cilin do të diskutohet për çështjet e telekomit, praktikisht për çështjen e kodit telefonik.

Lajme

26/05/2016 23:18

Përmes telefonit, Tahiri ka thënë për KosovaPress, se obligimet e pazbatuara janë nga pala serbe, nga të cilët, presin nesër që të dëgjojnë hapat që kanë ndërmarrë, lidhur me zbatimin e këtyre marrëveshjeve, të arritura që nga viti i kaluar.

Sipas saj, pala kosovare ka kryer obligimet, ndërsa pret nga Bashkimi Evropian që të bëjë presion tek pala serbe, në mënyrë që marrëveshjet të gjejnë zbatimin e duhur.

“Nuk e dimë çfarë informacionesh do të marrim nga pala e Serbisë por ne mendojmë që kjo çështje është në duar të Bashkimit Evropian, i cili është garantues i dialogut dhe duhet të bëjë presion”, ka thënë Tahiri për KosovaPress.

Ndërsa, sa i përket dështimit të dialogut për kadastër, ajo tha se BE-ja ka marrë qëndrim që të zhvillojë një dialog bilateral, duke udhëtuar në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të hartohet plani i duhur për zbatimin e asaj marrëveshje.