Nesër lëshohet “droni” i vërtetë mbi Beograd

Radikali Vojisllav Sheshel nesër organizon një miting në Beograd. Nëse Kryeministri shqiptar Edi Rama nga lidershipi serb konsiderohej droni i dytë i provokimit ndaj Serbisë. Vojisllav Sheshelj mund të jetë dron i vërtetë për politikën atje. 

Lajme

14/11/2014 20:17

Lirimi nga Haga i liderit të radikalëve serbë Vojisllav Sheshel, shihet si një destabilizim politik.

Edhe pse i sëmurë nga kanceri, ai nuk po dëshiron të shërohet, por të hakmerret ndaj ish përcjellësve të tij të dikurshëm, kryeministrit Aleksandar Vuçiq dhe presidentit të Serbisë Tomislav Nikoliq.

Njeriu që para 20 viteve e emëroi sipas riteve tradicionale presidentin e sotshëm të Serbisë Tomislav Nikoliq si vojvodë të çetnikëve, po i kthehet Serbisë. Kryevojvoda Vojislav Sheshelj, tash i sëmurë nga kanceri, dhe i tërbuar t’i hakmerret të gjithë atyre që ai konsideron se e braktisën në Hagë për gati një dekadë.

Ditë të vështira po i afrohen Qeverisë së Serbisë, sidomos, kryeministrit Aleksandar Vuçiq dhe presidentit Tomislav Nikoliq, të cilët pothuajse janë ngujuar sepse mentori dhe shefi i tyre i dikurshëm, Vojislav Seselj është liruar nga Tribunali i Hagës.

Ai në paraqitjen e parë para përkrahësve të tij tha “Rrnoftë Serbia e madhe”. Brohoritje të tilla, nuk janë dëgjuar moti publikisht, ato po i ringjallë Vojislav Sheshelj  i cili tuboi nacionalistët serbë në Zemun, duke e akuzuar të gjithë lidershipin serb si tradhtar, të paaftë dhe frikacak.

“Tadiq, është tradhtar, por as ai nuk do të tradhëtonte Serbinë sa i përket Kosovës, aq sa Vuçiq, Nikoliq, por dhe Ivica Daçiq na tradhtuan për një muaj. Lehtë është të shahen shqiptarët, një vend i vogël. Po, çfarë bënë ata kur u shpall pavarësia e Kosovës, çfarë bënë ata t’i tregojnë botës se çfarë monstrumi është Tribunali i Hagës,” është shprehur Vojislav Sheshelj.

Kur u dorëzua Sheshelji në Hagë, për të votuan 49 për qind e Serbisë. Ndërsa, ish përcjellësit e tij sot gëzojnë mbështetjen e mbi 50 për qind të elektoratit. Ndërkohë që sot ende nuk dihet se sa përkrahje mund të ketë Sheshelji?

Ai është lëshuar nga Haga, që të trajtohet nga sëmundja e kancerit në zorrë edhe metastazës në mëlçi. Por siç ka deklaruar Sheshelj, ai nuk do të shërohet, por do të hakmerret ndaj lidershipit serb që e tradhtuan.

Për kohën sa ishte në burgim, ndodhi shpallja e pavarësisë së Kosovës që u njoh nga mbi 100 vende të botës, dhe po ashtu Shqipëria u anëtarësua në Aleancën e NATO-së.

I akuzuari për krime kundër njerëzimit, Sheshelj, për këto i fajëson përcjellësit dhe nxënësit e tij Aleksandar Vuçiq dhe Tomislav Nikoliq.

Nëse Kryeministri Shqiptar Edi Rama konsiderohet droni i dytë i provokimit ndaj Serbisë. Vojisllav Sheshelj mund të jetë dron i vërtetë për politikën në Serbi. Fuqia e tij e vërtetë do të vërehet nesër në njërin prej shesheve të Beogradit, ku ai pritet të tubojë protestues kundër qeverisë së Serbisë. (Nga Valon Syla – korrespodent i RTK-së në Beograd)