Nesër është dita e ‘iPhone 6S dhe 6S Plus’

Apple pritet t’i lansojë modelet e reja të iPhone – iPhone 6S dhe 6S Plus – nesër në shfaqjen e saj që do ta mbajë në San Francisko.

Auto & Tek

08/09/2015 13:46

Së bashku me gjeneratën e re të Apple TV do të vijë edhe iPad mini 4 dhe iPad Pro, të cilët janë përfolur shumë.

Kjo është ajo çfarë kemi mësuar deri më tani për ngjarjen e nesërme:

iPhone 6S (së bashku me 6S Plus) do të vijnë me një teknologji të re të ekranit të quajtur Force Touch. Kompania pritet ta prezantojë këtë veçori si një mënyrë më të lehtë për të punuar me ekran dhe për të hapur aplikacione dhe shërbime të ndryshme, transmeton Lajmi.net.

Një raport i ri sugjeron se iPhone 6S do të ketë një ekran 3D. Siç shkruan 9to5Mac, iPhone 6S do të jetë në gjendje që të kuptojë prekjet e thella, duke sjellë tri nivele të prekjes – prekjen e lehtë, shtypjen dhe prekjen e rëndë.

Versioni me hapësirën më të vogël do të jetë ai me 16GB, ngjashëm si disa gjenerata të mëhershme të iPhone. Variante të tjera të iPhone 6S dhe 6S Plus do të jenë prej 64GB dhe 128GB.

iPhone 6S do të vijë me një rezolucion të lartë të densitetit të pikselëve. Bëhet e ditur se iPhone 6S do të ketë një rezolucion prej 1125 x 2000, duke e shtyrë rezolucionin në 488ppi.

Sa për çmimin, iPhone i ri nuk do të kushtojë më shumë se modeli bazë 6. Siç mësohet, iPhone 6S do të fillojë të shitet me një çmim prej 700 EUR.

Raportet e tjera tregojnë se iPhone 6S do të vijë me një përmirësim të madh në kamerë. iPhone i ri pritet që të vijë me një kamerë mbrapa prej 12MGP. Kamera thuhet të mbështesë incizimin e videove në rezolucion 4K. Në anën e përparme, iPhone 6S pritet të ketë një kamerë prej 5MGP, me një kapacitet për të kapur video në 720p dhe me një blic për selfie.

Ndryshe, me modelet e reja të iPhone do të paraqitet edhe një dizajn i ri. iPhone 6S rozë pritet t’i bashkëngjitet ngjyrave tradicionale të iPhone.

iPhone i ri do të jetë më i fuqishëm në material, për shkak të një kombinimi të ndryshëm të materialeve në të. Celulari i ri do të përmbajë fotografitë e animuara në sfond, ngjashëm me Apple Watch.

Lajmi.net do të ju njoftojë vazhdimisht për ngjarjen e nesërme që Apple do ta mbajë në San Francisko, ku do t’i zbulojë këta dy celularë.