“Nëse Rakiq s’e hap urën, e hap Qeveria”

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka thënë se homologu i tij nga veriu i Mitrovicës, Goran Rakiq, po e mban peng hapjen e urës së Ibrit. Sipas tij, nëse Rakiq s’e hap urën, një gjë të tillë do ta bëjnë institucionet qendrore të Kosovës.

Lajme

20/10/2018 08:29

Të gjitha punët në revitalizimin e urës kryesore të Ibrit, një projekt i cili është mbështetur nga BE-ja me 1.4 milion euro, tashmë kanë përfunduar, ndërkohë ura mbi lumin Ibër mbetet edhe më tutje e mbyllur për qarkullim të automjeteve.

Kanë përfunduar gjithashtu punët edhe në revitalizimin e rrugës “Mbreti Peter” në veri të urës, e cila është shndërruar në zonë të këmbësore, një projekt i gjithi i Bashkimit Evropian për të cilin ka investuar 2.1 milionë euro.

Për hapjen e urës kryesore të Ibrit për qarkullim të automjeteve dhe të njerëzve, që është dashur të bëhej më së largu deri më 9 maj 2017 (datë e përcaktuar nga Mogherini), përveç krerëve të qytetit të Mitrovicës së Jugut nuk është interesuar asnjë nga institucionet e shtetit të Kosovës, ndërsa kreu i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, këmbëngul që ura të mos hapet kurrë. /zeri/