Nëse Kosova futet në grupin e Belgjikës, për kë do të luajë Adnan Januzaj?

Kosova nuk është anëtare e UEFA-s dhe e FIFA-s, andaj nuk u përfshi fare në shortin për kualifikimet e Botërorit “Rusia 2018”, shkruan sot Gazeta Zëri.

Sport

27/07/2015 11:39

Por, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) është e bindur se pas pak muajve do të pranohet në këto dy organizata dhe menjëherë pas kësaj përfaqësuesja e Kosovës do të futet në Grupin H – në të cilën gjenden Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Greqia, Estonia e Qipro – ose në Grupin I, i cili përbëhet nga Kroacia, Islanda, Ukraina, Turqia e Finlanda.

Nëse Kosovës do t’i mundësohet të garojë në Grupin H, do ta takojë Belgjikën për të cilën luan Adnan Januzaj, raporton Zëri. Por, nëse futet në Grupin I, aty gjendet Finlanda e Përparim Hetemajt, të cilit mund t’i bashkohet edhe vëllai i tij, Mehmeti.

Përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaku shpreson që ata t’i bashkohen Kosovës.

“Sigurisht se do të jetë ndjenjë e veçantë për Januzajn, por edhe për vëllezërit Hetemaj dhe shumë tjerë. Ajo që për ne është me rëndësi është se lojtarët të besojnë në projektin që ka Kosova dhe në potencialin që posedon”, ka deklaruar për gazetën Zëri Bunjaku.