Nëse dështon Haradinaj, Hoti më shumë gjasa se Kurti për kryeministër

Lëvizja Vetëvendosje dhe i nominuari i tyre për kryeministër, Albin Kurti, po deklarojnë vazhdimisht se ata do ta bëjnë qeverinë. Por, në rast të dështimit të koalicionit PAN, më shumë se Kurti, gjasat për t’u bërë kryeministër ka i nominuari i LDK-së, Avdullah Hoti.

Lajme

16/06/2017 12:28

Nga burime brenda LDK-së, Gazeta Metro mëson se ata janë të bindur që do ta marrin postin e kryeministrit, si në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, ashtu edhe me PAN-in, porse u duhet ta presin rezultatin e mandatarit të parë, Ramush Haradinajt.

“LDK-ja do ta marrë postin e kryeministrit dhe këtë gjë e di edhe Vetëvendosje, e cila tani ka rritur presionin publik për të bërë koalicion të shpejtë. Nëse Vetëvendosje do koalicion me LDK-në, gjithsesi se duhet të na japë postin e kryeministrit, sepse këtë e kemi të sigurt në raport me PAN-in, nëse Haradinaj dështon ta formojë qeverinë herën e parë”, ka thënë një prej njerëzve të LDK-së për Gazetën Metro.

Sipas tij, koalicioni PAN do të provojë dhe nëse Haradinaj i ka votat, ai do ta formojë qeverinë. Por, në rast dështimi, nuk kanë ku të shkojnë tjetër përveçse te LDK-ja, që nëse nuk vendosë këshilli drejtues të shkojmë në opozitë, në koalicion të gjerë me PAN-in, LDK-ja do ta ketë të sigurt mandatarin e dytë dhe Hoti do të bëhet kryeministër.

Opsion tjetër, sipas tij, është shkuarja në opozitë, sepse si kryeministër, Avdullah Hoti do të forcohej dhe do të ishte lideri i ardhshëm i LDK-së, gjë që po u pengon disa nënkryetarëve të partisë.

Një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje dhe me Kurtin kryeministër, ai thotë se në LDK po shihet edhe më i dëmshëm dhe do ishte debakël për LDK-në në Prishtinë dhe përgjithësisht në këto zgjedhje lokale.

Kujtojmë që Lidhja Demokratike e Kosovës kishte përfituar më së shumti edhe pas bllokadës së kaluar.

Pas bllokadës gjashtëmujore, LDK-ja kishte bërë koalicion dhe kishte arritur ta marrë postin më të rëndësishëm në vend, duke e bërë Isa Mustafën kryeministër.