Nepotizmi “favorizon” studentët

Nepotizmi apo lidhjet familjare po paraqiten “kritere” kryesore, për nota më të larta në universitet, në përfundimin e studimeve, por edhe pas marrjes së diplomave, mundësi më e lehtë për t’u punësuar në ndonjë institucion publik apo kompani private.

Lajme

13/12/2015 12:02

Kështu thonë disa të rinj në Kosovë, disa nga të cilët tashmë janë të diplomuar në universitete publike dhe kolegje private, por janë në kërkim të punës.

Për rubrikën e përjavshme “VOX”të Radio Evropa e Lirë, ata tregojnë vështirësitë, me të cilat ballafaqohen gjatë studimeve, por edhe pas përfundimit të tyre.

Arianiti është student në vitin e tretë në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës. Ai tregon disa mënyra, se si favorizohen studentët, prindërit e të cilëve janë të punësuar në institucionet e larta shtetërore.

“Studentët, familjarët e të cilëve punojnë në Kuvendin e Kosovës dhe në institucionet e drejtësisë, favorizohen. Unë në gjeneratë kam studentë të gjykatësve dhe prokurorëve. Për shembull në provime dhe kollokfiume. Një rast konkret në provim, vajza e prokurorit haptas ka kopjuar me anë të telefonit. Por, profesori e ka larguar nga provimi një student tjetër mbrapa saj. Dhe, kur ne i kemi thënë se ajo po kopjon, ai na ka thënë, ku po shihini ju?! Telefoni, ndërkaq, ishte mbi bankë”, tregon Arianiti.

Edhe Blerim Bashota, student në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se ka raste, kur studentët i kanë kaluar provimet, vetëm për shkak të lidhjeve familjare ose partiake.

“Njoh studentë që kanë kaluar provime fare pa mësuar apo pa hyrë në provim. Unë nuk e konsideroj këtë zgjidhje apo favor për të ardhmen e tyre”, thotë Blerimi.

Edhe Blerina Gashi, studente në Universitetin Publik, thotë se lidhjet familjare fillojnë që nga regjistrimi i studentëve në fakultetet përkatëse:

“Ka raste që studentët pranohen në fakultet me të njohur, pastaj marrja e notave. Për të gjitha këto kam dëgjuar prej kolegëve në fakultet”.

Problem tjetër, thonë ata, janë vështirësitë për gjetjen e një vendi pune.

Dafina është studente në Fakultetin e Edukimit dhe punon me gjysmë orari në një kopsht për fëmijë. Ajo, pas përfundimit të studimeve, dëshiron të punojë në institucionet publike. Dëshira e saj, duket e parealizuar, pasi thotë se nuk ka askënd të familjes në këto institucione.

“Mendoj se duhet të kesh lidhje, përndryshe nuk arrin të sigurosh ndonjë vend pune. Unë e di se do të përballem me këtë vështirësi pas përfundimit të studimeve”, shprehet Dafina.

Edhe Mena Sadikaj, studente në vitin e dytë në Fakultetin e Edukimit, tregon se gjatë kohës së studimeve ka bërë përpjekje për të gjetur ndonjë vend pune, në sektorin privat, por nuk ka arritur pasi thotë ajo, lidhjet familjare dhe partiake po ndikojnë në gjetjen e ndonjë vendi pune.

“Unë mendoj se arsye pse nuk po pranohem në punë, është se nuk kam dikë të njohur, sepse disa herë kam konkurruar, kam plotësuar të gjitha kriteret dhe nuk më kanë pranuar”, pohon Mena.

Por, ka edhe të atillë, që thonë se anëtarësia partiake është faktor tjetër me rëndësi për të siguruar ndonjë vend pune.

Arjeta Hajdari, vazhdon studimet në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës. Ajo thotë se pas përfundimit të studimeve është e obliguar që të anëtarësohet në ndonjë parti politike, në mënyrë që të arrijë të punësohet.

“Nuk jam ndonjë përkrahëse e ndonjë partie politike në Kosovë. Por, nëse më ‘kushtëzohet’ me vend pune, me siguri se do të pranoj, pasi kam nevojë për punë dhe për një mirëqenie”, thotë Arjeta.

Se anëtarësia në partitë politike konkretisht në ato që udhëheqin shtetin, është kusht i domosdoshëm për punësim, e thotë edhe Flutura Hoti, studente në vitin e tretë nëDepartamentin e Psikologjisë në Fakultetin Filozofik.

“Pa pasur anëtar të familjes në Qeveri dhe nëpër ministri, nuk mund të punësohesh në Kosovë. Ose duhet të jesh anëtar i ndonjë partie politike, sidomos në pozitë, për t’u punësuar. Ndryshe, mbetesh i papunë i diplomuar, si shumë të tjerë”, pohon Flutura.

Edhe në anketat e publikuara nga Program ii Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë( UNDP), pjesa më e madhe e qytetarëve kanë shprehur besim se nepotizmi dhe bazat tjera jomeritore, janë faktorët më të rëndësishëm për t’u punësuar në sektorin publik në Kosovë.

Kurse, një përqindje e vogël, janë përgjigjur se arsimimi, përvoja profesionale, ndihmojnë në gjetjen e një vendi pune./REL