‘Nëntoka’ po i largon investitorët!

Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka deklaruar se ka qenë viktimë e “nëntokës” me rastin e privatizimit të "Grand Hotel" në Prishtinë. Ish zëvendëskryeministri ka thënë se është dëmtuar rënd financiarisht nga ky proces.

Lajme

26/03/2015 08:18

“Unë jam viktimë e këtij procesi kriminal. Jam dëmtuar rëndë financiarisht, pasi që nuk pranova që të jap ryshfet miliona euro personave të caktuar si kusht për privatizimin e hotelit “Grand” në Prishtinë. Në momentin që unë kam denoncuar publikisht edhe në prokurori sekserët, në mënyrë automatike jam bllokuar të gjitha proceset”, ka thënë Pacolli për Zëri.

Lideri i Aleancës Kosova e Re, thotë se grupet dhe individët e caktuar në Kosovë, përmes veprimeve kriminale po  dëmtojnë rënd imazhin e shtetit dhe kompanitë serioze që po vendosin që të investojnë në Kosovë.

“Veprimet kriminale të individëve dhe grupeve të caktuara po e dëmtojnë seriozisht kompanitë serioze, si dhe imazhin e shtetit. Kompania ime për privatizimin e Hotelit Grand në vitin 2006 ka paguar më shumë se 5 milionë euro, por qëllimisht nuk është pranuar si palë në këtë proces. Unë edhe më tutje kam mbetur i habitur se si po luhet me këtë ndërmarrje kur ekziston një masë e sigurisë për hotelin në favor të kompanisë sime për shkak të injorimit të investimeve dhe mos respektimit të kontratës nga ana e Zelqif Berishës”, ka thënë Pacolli.