Tërmet në Japoni, nëntë të vdekur dhe mbi 900 të plagosur

Qindra njerëz u mblodhën në orët e para të ditës së sotme jashtë bashkisë së Mashikit, në afërsi të epiqendrës së tërmetit të fuqishëm që goditi Japoninë një ditë më parë.

Bota

15/04/2016 12:34

Me magnitudë rreth 6 gradë, tërmeti i parë goditi qytetin Kumamoto, 11 kilometër në lindje të tij, në orën 9: 30 të enjten më 14 prill. Menjëherë më pas erdhi edhe goditja e dytë, akoma me e fuqishme me magnitudë 6.4 gradë.

Nuk kishte paralajmërime për tsunami, por të paktën 9 persona humbën jetën dhe qindra të tjerë u plagosën. Sipas autoriteteve lokale, mbi 900 persona janë dërguar në spitale për të marrë ndihmën e nevojshme.

Më shumë se 44 mijë njerëz janë evakuuar në shkolla dhe qendra komunitare, shumë të tjerë kaluan natën jashtë pasi tronditjet kanë vijuar pa ndërprerje edhe pas goditjeve të fuqishme. Më shumë se 3 mijë trupa policore dhe zjarrfikëse u dërguan në zonën e prekur nga tërmeti nga e gjithë Japonia. Kryeminsitri i vendit Shinzo Abe tha se në bazë të nevojës numri i tyre do të rritet. Në një prononcim për median, Abe tha se do të bëjë gjithçk a ishte e nevojshme për fatkeqësinë, një nga më të rëndat që prej marsit të 2011.

“Shpreh ngushëllimet e mia për të gjithë ata që kanë mbetur viktimë të kësaj fatkeqësie. Siguria e qytetarëve është prioriteti ynë”, tha Abe.

Rreth 16,500 familje në qarkun e Mashikit kanë mbetur pa energji elektrike, linja hekurudhore është pezulluar, kurse hapësirat jashtë shkollave dhe insitucioneve janë mbushur me njerëz që flenë në makina. Në mars të vitit 2011, një tërmet me magnitudë 9 gradë në veri të Tokios, shkaktoi një valë tsunami duke vrarë 20 mijë njerëz.