Nëntë ditë përpjekjesh për gjetjen e djaloshit të zhdukur

Edhe të shtunën, në orën 15:00, në takimin e radhës të Shtabit emergjent për kërkimin e të riut Sead Alushi nga Suhadolli i Mitrovicës, nuk është thënë asgjë e re, përveç asaj që është ripërsëritur deri tash, se kërkimet po bëhen, por Seadi, as i gjallë e as i vdekur, nuk po gjendet.

Lajme

19/04/2015 08:29

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, i cili për çdo ditë merr pjesë në takimin e orës 15:00, në fshatin Lisicë, mu aty ku bashkohen Ibri e Sitnica, ku është vendosur Shtabi emergjent, në të cilin marrin pjesë edhe përfaqësuesi i Komunës në veri të Mitrovicës dhe përfaqësuesit e FSK-së, KFOR-it, Policisë së Kosovës, EULEX-it, zjarrfikësve etj, bëri të ditur se ekipet e kërkimit të djaloshit Sead Alushi, për të cilin dyshohet se ka rënë në lum, nuk raportuan asnjë detaj të ri lidhur me këtë, shkruan Gazeta Express.

“Pjesëtarët e FSK-së, të KFOR-it, të policisë së Kosovës, të EULEX-it e të tjerët, janë dukë bërë punë të madhe pa ndërpre, për të gjetur Seadin, por ata ende nuk kanë hasur në të dhe në asnjë gjurmë që do të jepte shpresë se ai do të gjendet. Zhytësit janë duke e kërkuar atë me katër barka dhe deri tash kanë hulumtuar brenda në ujë, në gjatësi prej disa kilometrash, por pa sukses”, tha ai.

Bahtiri tha në vazhdim se kërkimet do të vazhdojnë edhe më tutje, madje me intensitet të shtuar, për të gjetur Seadin, apo ndonjë gjurmë lidhur me të.

“Në takimin e sotëm kam kërkuar nga EULEX-i, pjesëtarët e të cilit po i bëjnë hetimet lidhur me ngjarjen që pati për pasojë zhdukjen pa gjurmë të Sead Alushit, që të jap një informatë të detajizuar për rezultatet e hetimit, në mënyrë që të evitohen spekulimet në opinion lidhur me këtë, të cilat po e vështirësojnë akoma gjendjen e familjarëve të Seadit”, tha Bahtiri.

Sead Ismet Alushi, i lindur më 10.09.1998, në Suhadoll të Mitrovicës, u zhduk të premten, më 10.04.2015, rreth orës 15:00, në një ngjarje ende të pandriçuar mirë, në pjesën veriore të Mitrovicës, afër një objekti prodhues të pronarit serb, buzë lumit Ibër, ku dyshohet se kishte shkuar për të marrë një qen.

Duhet theksuar se në kërkimet e deritashme për Sead Alushin, në lumin Ibër zhytësit kanë gjetur trupat e pajetë të dy serbëve, njëri i zhdukur që nga data 28.02.2015 dhe tjetri nga 1.04.2015.