Nënshtrimi i Kosovës

Vetëvendosje kritikon Hashim Thaçin, Isa Mustafën dhe Ramush Haradinajn se ia kanë hapur rrugën Kryeministrit serb Ivica Dacic që ta nënshtrojë Kosovën.

Lajme

20/10/2013 14:43

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi si dhe dy kryetarët e partive opozitare, Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj, ia kanë hapur rrugën nënshtrimin ndaj Serbisë.

Kështu konsideron Lëvizja Vetëvendosje.

Në një komunikatë për media, Vetëvendosje deklaron se marrëveshja e 19 prillit dhe negociatat pararendëse e kanë bërë të dukshëm qëllimin përfundimtar të tyre.

“Ky nënshtrim ndaj Serbisë do të kishte i pamundur po të mos nënshtroheshin paraprakisht dhe pafundësisht Hashim Thaçi si Kryeministër dhe Isa Mustafa e Ramush Haradinaj si kryetar të partive të opozitës, të cilët e ndihmuan Thaçin në këtë proces nënshtrimi.”

“Dacicit për në Kosovë ia kanë prerë biletën këta të tre.”

“Ardhja e Dacicit në Kosovë përbën aktin përfundimtar të një drame të turpshme politike të Thaçit, i cili tash e një vit nuk është marrë me asgjë tjetër përveç me akomodimin e kërkesave të Serbisë në Kosovë.”

Vetëvendosje ka kritikuar Kryeministrin Thaçi se përmes krijimit të Bashkësisë së Komunave Serbe, ia formalizoi pushtetin Serbisë përmbi këtë Asociacion.

“Ai ia krijoi Serbisë Asociacionin autonom territorial, ia formalizoi pushtetin Serbisë përmbi këtë Asociacion përmes legalizimit dhe amnistimit të strukturave ilegale okupuese të saj”

“Ia ndau buxhetin nga paratë publike të Kosovës për ta financuar këtë pushtet të Serbisë; e hoqi emërtimin Republikë dhe stemën institucionale nga dokumentet zyrtare; ia mundësoi Serbisë rritjen artificiale të votuesve pa kurrfarë dokumenti dhe baze ligjore.”

“Dhe për ta përmbyllur, ia hapi derën Dacicit që të vijë në Kosovë për t’i bindur serbët të votojnë për pushtetin e Serbisë.

“Duke e ndihmuar Dacicin, Thaçi po e ndihmon veten. Vetëm kështu ai mund t’ia zgjasë jetën institucionale vetes dhe pronto klikës së tij. Duke e ndihmuar Thaçin për ta ndihmuar Dacicin, Mustafa dhe Haradinaj po e ndihmojnë njëkohësisht Dacicin dhe pushtetin e Thaçit dhe pronto klikës së tij.”