Nënshkruhet marrëveshja për muzeun ‘Ibrahim Kodra’

Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se është nënshkruar marrëveshja për themelim të muzeut “Ibrahim Kodra”.

Lajme

19/06/2018 23:29

“Ky muze do të menaxhohet sipas statutit për Muzeun e Prishtinës, që pritet të votohet në asamblenë komunale në seancën e radhës. Kurse muzeu do të vendoset në ndërtesën e ish-bibliotekës në Tophane”, thuhet në njoftimin e Ahmetit të cilin e ka postuar në profilin zyrtar të tij në “Facebook”.

Sipas Ahmetit, fondacioni Kodra nga Zvicra përveç fondit të mbledhur të veprave do të ndihmojë edhe me investime kapitale dhe me ekspertizë në dizajnim të programit dhe ekspozitës së këtij muzeu.

“Ky është projekti më serioz i komunës në fushën e arteve pamore deri tash, ndërkohë që është edhe muzeu i parë si institucion i Komunës së Prishtinës”, ka shkruar Ahmeti.

Po ashtu në kuadër të veprave të përhershme të ekspozuara sipas Ahmetit janë duke shikuar mundësitë që në bashkëpunim edhe me Galerinë Kombëtare të ekspozojmë pjesë nga koleksioni i këtij institucioni, veçanërisht ato që ndërlidhen me veprën e mjeshtrit Kodra.