Nënshkruhet konventa e KiE për trafikim organesh, ku përmendet edhe Kosova

Këshilli i Evropës para dy muajsh ka miratuar Konventën Kundër Trafikimit të Organeve. Në listën e vendeve që sekretari i përgjithshëm, Thorbjørn Jagland, përmend për aktivitetin në këtë lloj të krimit të organizuar, Kosova është e para.

Bota

20/04/2015 16:25

Në konferencën e organizuar në Spanjë, ku kjo konventë është hapur për nënshkrim, Jagland ka thënë se qëllimi i kësaj konvente është pikërisht stopimi i kriminelëve që e zhvillojnë këtë veprimtari në Kosovë, Turqi, Serbi, Romani, Gjermani, Spanjë dhe Ukrainë.

Në të njëjtën konferencë ka folur edhe ish-shefi i prokurorisë speciale të EULEX-it, në Kosovë, Jonathan Ratel. Ai është ftuar për të shpalosur përvojën e tij nga puna në Kosovë në fushën e trafikimit të organeve.

Për të ardhur deri te apostrofimi i Kosovës e para në listën për trafikim organesh ka kontribuuar një serë faktorësh e ngjarjesh. Në këtë radhë, ndikimin më të madh e ka pasur raporti i ish-deputetit zviceran në Parlamentin Evropian, Dick Marty.

Raporti i publikuar nga ai në dhjetor të vitit 2010, pretendonte se një numër i madh i udhëheqësve të UÇK-së kishin vrarë dhe më pas kishin trafikuar organet e të burgosurve të tyre shqiptarë e serbë. Në listën e të përmendurve në këto akuza ishte edhe ish-kryeministri, Hashim Thaçi, i cili në këto shkrime cilësohej si “peshku më i madh i krimit”.

Këshilli i Evropës e kishte mirëpritur publikimin e këtij raporti dhe kishte urdhëruar fillimin e hetimeve për akuzat e përmendura në raport. Këshilli kishte miratuar një rezolutë , ku thuhej se në kryerjen e këtyre hetimeve duheshin përfshirë autoritetet kosovare dhe EULEX’i.

Pas një debati të gjatë në Këshillin e Evropës, ky raport u miratua me shumicë votash, ndërsa vëmendje të madhe kishte zgjuar edhe në SHBA.

Një faktor tjetër, i cili ka shtyrë përmendjen e Kosovës për këtë aktivitet kriminal ka qenë edhe skandali “Medicus”, i cili konsiderohet skandali që ia shkatërroi imazhin Kosovës. Kjo klinikë, edhe pas skandalit për tregti të jashtëligjshme me veshka, ende vazhdon veprimtarinë, e papenguar nga askush, me staf të njëjtë, por me emër të ri. Tani ajo njihet si “Medical Center” dhe është e licencuar nga Ministria e Shëndetësisë, shkruan më tutje Express.

Në këtë konventë tashmë janë nënshkruar shtetet si Shqipëria, Andora, Armenia, Austria, Azerbajxhani, Belgjika, Bosnja&Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Qipro, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Irlanda, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Moldavia, Mali i Zi, Holanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Rumania, San Marino, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra, “ish-republika jugosllave e Maqedonisë”, Ukraina dhe Mbretëria e Bashkuar.