Nënshkruaje, ministër!

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti së fundi është caktuar nga partia e tij që të zhvillojë bisedime me Dardan Sejdiun e VV-së në mënyrë që të harmonizohen programet e këtyre dy subjekteve, për një bashkëpunim të mundshëm në qeveri.

Lajme

25/08/2017 18:51

Por kujtimet e Avdullah Hotit me Dardan Sejdiun, Shpend Ahmetin e zyrtarë tjerë të Vetëvendosjes nuk kanë qenë gjithmonë pozitive.

Debatet dhe akuzat ishin të mëdha sidomos për blerjen e 51 autobusëve të trafikut urban nga Komuna e Prishtinës, që kishte ardhur si rezultat i një kredie me BERZH-in, shkruan lajmi.net.

Lëvizja Vetëvendosje aso kohe me nënkryetarin e Prishtinës, Dardan Sejdiun dhe Shpend Ahmetin hedhnin akuza të rënda në drejtim të ministrit në detyrë të financave, Avdullah Hoti duke pretenduar se ky i fundit po e mban peng nënshkrimin e kësaj marrëveshje për interesa politike.

Deputeti i VV-së, i cili gjatë kësaj kohe do të zhvillojë bisedime me Hotin, dikur i kërkonte debat publik në mënyrë që të zgjidhnin telashet për punën e autobusëve.

“Brenda ditës ju kemi përgjigjur dhe kemi dërguar gjitha sqarimet (ndonëse të njëjtat i kanë pasur që nga Tetori i vitit të kaluar). Dhe pas kësaj, ministri dhe stafi i tij flasin publikisht pasaktësi në lidhje me arsyet e bllokimit të këtij projekti kapital për kryeqytetin”, thoshte ish-nënkryetari i Prishtinës.

“Meqë, unë kam qenë personalisht i kyçur në këtë proces dhe jam i njoftuar me gjitha detajet, ftoj publikisht ministrin Hoti që të ballafaqohemi në debat televiziv, ai le të zgjedhë kanalin, emisionin dhe moderatorin”, ishte kërkesa e Dardan Sejdiut.

Madje ky i fundit akuzonte direkt kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën i cili sot tha se një koalicion me Vetëvendosjen edhe mund të realizohet.

Në facebook para disa muajsh Sejdiu shkruante se Mustafa nënshkruan marrëveshje si Demarakcioni, por jo edhe atë për autobusa.

“E vërteta është e thjeshtë dhe e qartë: ky Ministër me shefin e tij e kanë bllokuar tash nëntë muaj reformën e Trafikut Urban dhe kjo nuk mund të fshihet duke u prononcuar nga distanca. Ky kryeministër, ish-Kryetar i Komunës së Prishtinës, nuk e ka fare telashe ta nënshkruaj demarkacionin me Malin e Zi, dokument ky i cili dëmton vendin për 8000 hektar, por që 10 muaj e udhëzon Avdullah Hotin që të mos e nënshkruaj garancionin për blerjen e 51 autobusëve”, deklaronte aso kohe Sejdiu.

Me akuza e kërcënime për protesta keq nuk e linte as kryetari i komunës, Shpend Ahmeti i cili bënte thirrje vazhdimisht nga qytetarët që të mos e ndalnin presionin i cili kishte nisur nëpër rrjete sociale.

“Qysh po shkon kjo punë, unë mendoj se do të përfundojë në protestë të qytetarëve të Prishtinës,.  Nëse nuk ju përgjigjen kërkesave të qytetarëve, ata do të jenë politikisht humbës. Ma mirë më bo këtë projekt, e ne me tregu që edhe ata kanë ndihmu këtë projekt”, kishte thënë Shpend Ahmeti.

Akuza ndaj Avdullah Hotit vazhdimisht kishin bërë edhe shumë zyrtarë tjerë të lartë të VV-së.

Duarkryç në këtë debat nuk pati qëndruar as shefi i tanishëm i grupit parlamentar të LDK-së.

Edhe ai pretendonte se komuna e Prishtinës ishte fajtore për vonesat me autobusë, dhe sipas tij vetëm po tentonin ta hidhnin fajin te dikush tjetër.

Madje në vizitën që kishte bërë Avdullah Hoti në komunën e Prishtinës për të biseduar për këtë problem, ishte takuar vetëm me kryesuesin e kuvendit komunal Halim Halimi, duke anashkaluar Ahmetin e Sejdiun.

E për Avdullah Hotin ishte organizuar edhe një peticion nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Komuna e Prishtinës që të nënshkruaj kredinë për autobusët e famshëm.

Ishte bërë fushatë e madhe në Facebook me moton “Nënshkruaje Ministër”, duke aluduar në vonesat e nënshkrimit të kredisë nga Hoti.

Por, takimet me këtë të fundit pritet të shpeshtohen kohëve të fundit pasi Albin Kurti dje në Kuvend i shtriu LDK-së dorën e “pajtimit” dhe të bashkëpununimit për një koalicion të mundshëm.

Përkundër kësaj, Lëvizja Vetëvendosje ende po krenohet me 70 dosjet në Prokurori që i ka dërguar për Mustafën sa ka qenë kryetar i komunës, gjë e cila nuk e ka zmbrapsur këtë të fundit të synojë Qeverinë me Albin Kurtin. /Lajmi.net/