Nënshkrimi i kundërligjshëm i kontratës së madhe nga Ministria e Infrastrukturës

Ministria e Infrastruktures e ka nënshkruar kontratën me datën 29.03.2017. Gazeta Jnk ka gjetur se është vetëm një “njoftim për dhënie të kontratës” për këtë aktivitet të prokurimit, i cili është publikuar me datën 7 prill të vitit 2017.

Lajme

06/05/2017 18:13

Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar një kontratë që peshon 239 mijë euro në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.

Kjo ministri, që udhëhiqet nga Lutfi Zharku, është ngutur për të lidhur kontratë me kompaninë PBC për furnizim me softuer për testimin elektronik të kandidatëve për patentë-shofer duke shkelur afatet kohore dhe procedurat e parapara në Ligjin e Prokurimit. Ende pa e publikuar njoftimin për dhënie të kontratës, Ministria e Infrastrukturës e ka nënshkruar kontratën me këtë kompani- Konzorciumin PBC Kosova.

Njoftimi i vetëm për dhënie të kontratës për këtë aktivitet të prokurimit është publikuar me datën 7 prill. Ndërsa, Ministria e Infrastrukturës në një përgjigje dhënë Gazetës JnK ka thënë se kontrata me kompaninë “PBC” sh.p.k është nënshkruar me datën 29 mars, apo 8 ditë para se të publikohet njoftimi për dhënie të kontratës.

“Fituese e tenderit është kompania ‘PBC’ sh.p.k, me të cilën AK e ka nënshkruar kontratën me datën 29.03.2017”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës për Gazetën Jeta në Kosovë.

Gazeta ka kërkuar përgjigje edhe nga kompania “PBC” për të parë nëse data e nënshkrimit të kontratës përputhet.

“Kontrata është nënshkruar më 27.03.2017 nga ana jonë dhe me 29.03.2017 nga ana e tyre”, thuhet në përgjigjen e operatorit ekonomik “PBC” për Gazetën JnK.

Gjatë hulumtimit, në uebfaqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) gazeta ka gjetur se është vetëm një “njoftim për dhënie të kontratës” për këtë aktivitet të prokurimit. Ky njoftim është i publikuar me datën 7 prill të vitit 2017. Në njoftimin për dhënie të kontratës që është publikuar me 7 prill, thuhet se dhënia e kontratës është bërë me datën 5 prill, ndërsa nënshkrimi i kontratës do të bëhet me datën 14 prill. Pra, këto të dhëna në këtë njoftim nuk janë të vërteta, pasi Ministria e Infrastrukturës i kishte thënë Gazetës JnK se kontrata ishte nënshkruar 2 javë me herët, me 29 mars.

Për të verifikuar atë që është gjetur në ueb-faqen e KRPP-së, Gazeta Jnk ka dërguar pyetje  në KRPP për të parë nëse ka edhe ndonjë njoftim tjetër që është publikuar për këtë aktivitet të prokurimit.

KRPP-ja thotë se i vetmi njoftim për dhënie të kontratës i publikuar për këtë aktivitet të prokurimit është ai i datës 7 prill. KRPP-ja na ka dërguar edhe listën e të gjitha njoftimeve të publikuara për aktivitet, të cilat kanë të bëjnë me plotësimin e njoftimit për kontratë.

Kompania që e ka nënshkruar kontratë, PBC, në një përgjigje për Gazetën JnK ka thënë se nënshkrimi i kontratës është bërë bazuar një njoftim që e kanë pranuar në email për “tenderues të suksesshëm”.

“Njoftimi për dhënie të kontratës, siç e kemi theksuar në shkresën e djeshme, ka ardhur në email, të cilin e gjeni të bashkëngjitur. Meqë në kuadër të afateve ligjore janë deponuar ankesa nga dy operatorë, konsiderojmë se edhe ata janë njoftuar, përmes ueb-faqes së KRPP ose përmes e-mail adresave të tyre”, thuhet në përgjigjen e “PBC”-së.

PBC e ka bashkangjitur “letrën standarde për tenderues të suksesshëm”.

“Juve ju është dhënë kontrata me çmimin e saktësuar në tenderin tuaj: keni ofertuar me çmim prej vit prej 239,898 euro”, thuhet në këtë letër standarde që u dërgohet ofertuesve të suksesshëm.

Relativizmi i shkeljes ligjore   

Por, operatori “Botek” thotë se ankesën në OSHP, në muajin dhjetor të vitit 2016, e kishte bërë pas pranimit të letrës standarde për operatorin e eliminuar.

“Në nga MI kemi pranuar vetëm ‘Letrën standarde për tenderuesin e eliminuar’ me datë 06.12.2017 dhe mbi këtë dokument ne kemi parashtruar ankesën pranë OSHP-së”, thuhet në përgjigjen e kompanisë “BOTEK”.

Kjo kompani thotë se sërish ka bërë ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Ankesën thotë se e ka bërë me datën 14 prill, apo rreth dy javë pasi Ministria e Infrastrukturës e ka nënshkruar kontratën me operatorin fitues. E kjo e fundit, në bazë të ligjit të prokurimit është e obliguar që të pezullojë aktivitetin e prokurimit në rast se ka ankesë në OSHP.

Ministria e Infrastrukturës e ka dhënë një arsyetim tjetër për nënshkrimin e kontratës para se të publikohet njoftimi për dhënie të kontratës. Kjo ministri konsideron se publikimi i njoftimeve në KRPP është çështje teknike.

“Nënshkrimi i kontratës është bërë brenda afatit ligjor. Pas vendimit të OSHP-së, Ministria e Infrastrukturës ka pasur afat kohor prej 10 ditësh që ta zbatojë vendimin e OSHP-së, ndërsa publikimi nga ana e KRPP-së është çështje teknike”, thuhet në përgjigjen e MI-së pas interesimit të Gazetës JnK.

Por, Gazeta JNK ka gjetur se publikimi i njoftimeve në ueb-faqen e KRPP-së është çështje ligjore dhe jo teknike siç thotë ministria.

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik thotë se kontrata assesi nuk mund të nënshkruhet pa u bërë publikimi i njoftimit për dhënie të kontratës. Për më tepër, KRPP-ja thotë se pas publikimit duhet pritur 10 ditë nëse gjatë kësaj kohe do të ketë ankesa nga operatorët tjerë që kanë qenë në garë.

“Kontrata nuk mund  të nënshkruhet assesi pa u bërë publikimi i njoftimit për dhënie të kontratës dhe pasi të kalojë  periudha 10 ditore pas datës së publikimit (si afat i ankesave), atëherë mund të nënshkruhet, përndryshe është shkelje e nenit 41 të LPP-së”, thuhet në përgjigjen e KRPP-së për Gazetën JnK.

Në nenin e cekur nga ministria flitet për përgatitjen e njoftimit për dhënie të kontratës.

“Nëse autoriteti kontraktues ka dhënë një kontratë publike duke përdorur procedurat e hapura, të kufizuara ose të negociuara, ose procedurat e kuotimit të çmimeve, autoriteti i tillë kontraktues brenda dy (2) ditëve pas dhënies së kontratës së tillë, do të përgatisë njoftimin mbi dhënien e kontratës në gjuhët e cekura në nenin 13 të këtij ligji”, thuhet në nenin 41, të LPP-së.

Mirëpo në anën tjetër pika 1 dhe 2 e nenit 42 të Ligjit për Prokurimin Publik thotë se çdo autoritet duhet t’i dorëzojë menjëherë KRRP-së versionin e njoftimit që ka përgatitur, e pastaj KRPP-ja ka kohë 2 ditë që të publikojë atë njoftim në ueb-faqen e saj zyrtare.

“Brenda dy (2) ditëve pasi që KRPP-ja të ketë pranuar njoftimin në fjalë nga një autoritet kontraktues sipas paragrafit 1 të këtij neni, KRPP-ja do t’i publikojë versionet në të gjitha gjuhët e njoftimit në fjalë në faqen e KRPP-së në internet dhe në regjistrin e prokurimit publik”, thuhet në pikën 2 të nenit 42 të LPP-së.

Tenderi i stërzgjatur

Historiku i këtij tenderi është i gjatë. Njoftimi i parë për kontratë është bërë me 22 janar të vitit 2016. Pas këtij njoftimi, për plot 5 herë ishin ofruar informata shtesë dhe përmirësime të gabimeve për këtë aktivitet të prokurimit. Me 10 shkurt 2016, 24 mars, 19 maj, 7 korrik dhe 20 shtator të 2016.

Për këtë aktivitet të prokurimit, operatori ekonomik “Botek” është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Ai, fillimisht ka kërkuar ndryshimin e kërkesave të dosjes së tenderit. Kjo kërkesë ishte aprovuar nga OSHP-ja dhe si rrjedhojë Ministria e Infrastrukturës kishte bërë disa herë ndryshime në këtë aktivitet prokurimi.

E pas hapjes së ofertave dhe eliminimit të operatorit “Botek” sërish ka pasur ankesë në Gjykatën e Tenderëve “Botek” ishte eliminuar për shkak të mungesës së një pjesë të dosjes së tenderit.

Sipas kompanisë “Botek”, dorëzimi i ofertave dhe përmbylljes së vlerësimit të ofertave është bërë me 3 tetor të 2016-ës, ndërsa më 6 dhjetor në kompani thonë se Ministria e Infrastrukturës përmes e-mailit i ka njoftuar se është eliminuar për shkak se “nuk ka ofruar listën e ekspertëve të kërkuar sipas FTD, Neni 9.1.

Mirëpo “Botek” thotë se ka kërkuar qasje në dokumentet zyrtare, ku kishte vërejtur se disa pjesë të dosjes së saj janë të pahapura.

Për këtë ka edhe një procesverbal të “momentit” që ishte bërë nga përfaqësuesit e kompanisë dhe zyrtarët e ministrisë, të cilët e kishin pranuar gabimin dhe kishin konstatuar se ekziston edhe një pjesë tjetër e dosjes, e cila nuk ishte hapur fare. Ky procesverbal ishte nënshkruar nga të dyja palët me datën 7 dhjetor të 2016.

Përveç ankesës në OSHP, kompania “Botek” ka ngritur edhe kallëzim penal ndaj 3 zyrtarëve të Departamentit të Prokurimit të Ministrisë së Infrastrukturës. Kompania “Botek” akuzon këta zyrtarë të MI-së, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, fshehje të dokumenteve, shtrembërim të fakteve, marrje të vendimeve në kundërshtim me ligjin si dhe dëmtim të qëllimshëm ndaj kompanisë së tyre dhe buxhetit të shtetit.

Kompania “Botek” informacionet për kallëzim penal ndaj këtyre zyrtarëve ia kishte dërguar edhe ministrit të Infrastrukturës Lutfi Zharkut në shkurt të 2016-ës.

Kompania “Botek” e cila është ankuar disa herë tek Organi Shqyrtues i Prokurimit, thotë se ende nuk ka marrë asnjë njoftim se është nënshkruar kontrata ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe kompanisë “PBC”.

“Ne deri më tani nuk kemi pranuar zyrtarisht asnjë njoftim për nënshkrimin e kësaj kontrate në mes MI dhe konsorciumit të OE PBC shpk / GDI.  Ne jemi bazuar në LPP Neni 41 ‘Njoftimi mbi Dhënien e Kontratës’ ku AK janë të obliguara t’i shpallin në faqen zyrtare të KRPP dhe se me datë 7 prill 2017, MI ka nxjerrë këtë njoftim zyrtarisht”, thuhet në përgjigjen e zyrtarëve të kompanisë “Botek” dhënë për Gazetën JnK.

Pra njëra prej kompanive që ka qenë pretendente për të fituar këtë tender, nuk ka qenë fare e njoftuar se kontrata është nënshkruar.

Operatori “Botek”, pas publikimit të njoftimit për dhënie të kontratës, ka paraqitur sërish ankesë në Gjykatën e Tenderëve

“Pasi kemi konstatuar njoftimin për dhënie të kontratës Konsorciumit të OE PBC shpk / GDI në faqen zyrtare të KRPP me datë 07. prill 2017, ne si OE i përfshirë ne ketë procedurë të prokurimit, brenda afateve ligjore (me datë 14. prill 2017) kemi dorëzuar ankesën e dytë kundrejt këtij vendimit për dhënien e kontratës”, thuhet në përgjigjen e “Botek”-ut.

Ky operator pretendon se ankesa e bërë në OSHP nuk është ndaj vendimit të OSHP-së, por bazohet në fakte të reja të cilat deri më tani nuk janë shqyrtuar nga OSHP-ja.

“Ankesa formalisht brenda afateve ligjore e pranuar nga OSHP-ja përmban fakte shtesë mbi shkeljet administrative nga ana e AK, e në veçanti faktet shtesë me të cilat konfirmoj qartë se konsorciumi i OE PBC shpk / GDI i propozuar për kontratë është i papërgjegjshëm administrativisht”, thuhet në përgjigjen e kompanisë “Botek”.

BOTEK vs PBC

Kjo kompani pretendon se kompania e rekomanduar për kontratë nuk është administrativisht e përgjegjshme, pasi asaj i mungojnë autorizimet (MAF) valide të lëshuara për operatorët që kanë marrë pjesë në këtë tender.

“Këto autorizime të dorëzuara nuk janë lëshuar në emër të asnjërit nga anëtarët e konsorciumit apo në emër të vetë konsorciumit (pasi as që ka mundësi), por këto janë autorizime që sikurse shihet qartë nga kopjet që ne posedojmë janë të lëshuara në emër të kompanisë ‘PBC Kosova’ (pra Biznes tjetër me numër tjetër të biznesit.

“Konsorciumi përbëhet nga PBC sh.p. dhe GDI. Anëtarët e konsorciumit, siç edhe kërkohet me dispozita ligjore kanë vendosur që emrin e konsorciumit ta emërojnë si ‘PBC Kosova’. Të gjitha deklaratat, përveç deklaratave nën betim dhe formularit të tenderit (siç kërkohet me ligj) dhe autorizimet janë në emër të konsorciumit dhe të nënshkruara e të vulosura nga prijësi i konsorciumit, në këtë rast kompania ‘PBC’ sh.p.k”, thuhet në përgjigjen e kompanisë PBC sh.p.k.

Madje, kompania “PBC” sh.p.k pretendon se pretendimet e kompanisë “Botek” tashmë janë shqyrtuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.

E Gjykata e Tenderëve thotë se e ka pranuar ankesën e kompanisë “Botek”. Ata kanë shpjeguar se konform nenit 112 paragrafit 1, pas dorëzimit të ankesave nga një operator, autoriteti kontraktues është i obliguar që me automatizëm të pezullojë aktivitetin e prokurimit.

“OSHP nuk nxjerr vendim për pezullim por AK automatikisht pezullon aktivitetin e prokurimit. OSHP me datën 14 prill 2017, përmes email ka njoftuar AK- MI me këtë email: [Ju njoftojmë me ankesën me nr.prot.  112/17 dhe ju njoftojmë se dorëzimi i një ankese konform nenit 112 paragrafi 1 të LPP-së,  ju obligon juve si autoritet kontraktues që automatikisht ta pezulloni zbatimin e aktivitetit të prokurimit me të cilin ka të bëjë ankesa në fjalë,  prandaj kërkojmë nga ju që në afat prej 3 ditësh të dorëzoni në OSHP tërë pakon e dokumenteve që kanë të bëjnë me ankesën e caktuar”, thuhet në përgjigjen e OSHP-së.

Tutje, Gjykata e Tenderëve ka thënë se operatori “Botek” është dashur që t’i drejtohet me padi Departamentit Administrativ të Gjykatës Themelore në Prishtinë për ankesën që ka të bëjë me vendimin e panelit shqyrtues.