Nënkryetari i LDK-së për ftesën e Haradinajt: Sigurisht që s’do të shkojmë

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kanë refuzuar ftesën e kandidatit për kryeministër, Ramush Haradinajt, që të ulen dhe të bisedojnë.

Lajme

11/07/2017 12:15

Në letrën që ua ka dërguar një ditë më parë, Haradinaj u ka propozuar të dy subjekteve politike që takimin ta mbajnë në zyrat e Kuvendit të Kosovës.

“Për nesër kam propozuar takim me Visar Ymerin dhe Isa Mustafën. Kam propozuar që takimi të mbahet në zyrat e Kuvendit”, ka thënë Haradinaj pas ftesës që ua ka dërguar Ymerit e Mustafës.

Por, as Visar Ymeri sikurse edhe Isa Mustafa nuk kanë shprehur gatishmëri që t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së Haradinajt.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Haki Rugova në një prononcim për Gazetën Express ka mohuar bindshëm se nuk do të jenë pjesë e takimit të sotëm.

“Sigurisht, që nuk do të shkojmë në takimin e Haradinajt, kjo tashmë është e ditur”, tha Rugova.

Në lidhje me këtë, Vetëvendosje ka deklaruar se takimi me Haradinajn mund të ndodhë vetëm kur i njëjti të largohet nga koalicioni PAN.

“Në qoftë se z. Haradinaj po na fton për të diskutuar mundësinë e bashkëpunimit për qeverisje ai takim mund të pranohet vetëm kur ftesa bëhet nga pozita e kryetarit të AAK-së dhe pasi të dalë prej PAN-it”, kishte thënë Ymeri.

Edhe i pari i LDK-së, Isa Mustafa, duke e komentuar ftesën e Haradinajt për t’u takuar gjatë ditës së sotme, ishte shprehur se një gjë e tillë nuk ka gjasa të ndodhë dhe se një koalicion mes tyre dhe PDK-së është i pamundshëm.

Kujtojmë se KQZ-ja të shtunën kishte certifikuar zgjedhjet e 11 qershorit, duke i hapur kështu rrugë formimit të institucioneve.

Presidenti i vendit duhet të thërrasë seancën e radhës, ndërkaq fillimisht duhet të bëhet konstituimi i legjislaturës së re të Kuvendit e më pas edhe votimi i Qeverisë së re