Nënkryetari i AKR-së: LDK-në nuk mund ta presim pafundësisht

Nënkryetari i AKR-së, njëherit edhe kryetar i Mitrovicës, Agim Bahtiri, e ka ripërsëritur atë që ka thënë ditë më parë presidenti i kësaj partie, Behgjet Pacolli, se nuk do të presin pafundësisht duke e lënë vendin të bllokuar, dhe do të shohin alternativa tjera, që vendi të bëhet me institucione.

Lajme

11/08/2017 14:19

Në një bisedë për Gazeta Metro, Bahtiri, ka lokalizuar qartë problemin, duke thënë se Vetëvendosje është treguar e gatshme për bashkëpunim, por problemi është te LDK, e cila po e përdor formën e bojkotit, duke bërë që vendi të ngelet peng i interesave të ngushta politike.

“Unë jam takuar me kryeministin Isa Mustafa pardje, e edhe me Vetëvendosjen, për t’u munduar që institucionet e Kosovës të mos ngecin peng për interesa politike, dhe jam munduar që të gjej zgjidhje sa më shpejt që është e mundshme, pasi Kosova nuk e ka luksin që institucionet të mos ndërtohen. Kjo bllokadë nuk është në interes të vendit, dhe kërkova që ata të bisedojnë sa më shpejtë që është e mundur dhe të gjindet një zgjidhje”.

“Zoti Pacolli ka dhënë një deklaratë për këtë temë, dhe me shumë të drejt ka thënë se Kosova nuk duhet të ngelet e bllokuar pafundësisht për teket e dikujt. Gjithashtu, zoti Pacolli, por edhe unë kemi kërkuar që të formohet një qeveri me bazë të gjërë, që do të ishte shansi i fundit që Kosova të zxirrej nga kjo situatë. Por ne do të shiqojmë se si do të veprojnë LDK dhe Vetëvendosje, dhe pastaj do të veprojmë, pasi nuk do të lejojmë që të bllokohet i gjithë sistemi i shtetit për teke të dikujt”.

Kryetari Bahtiri në këtë bisedë për Gazeta Metro, ka thënë se AKR vazhdimisht ka insistuar brenda koalicionit LAA që të gjindet një zgjidhje, por sipas tij, nëse vazhdohet kështu, atëherë partia e tyre do të mblidhet për shikuar se cila duhet të jetë rruga tjetër, që vendi të i krijojë instituconet dhe të mos ngelet i bllokuar.

“Unë megjithatë, dua ta falenderojë Vetëvendosjen e cila çdo herë ka treguar gatishmëri për bashkëpunim, që të ulemi të bisedojmë, por problemi është te LDK’ja. Në qoftëse LDK nuk ndërmerr hapa që të lëvizet përpara, atëhere ne do të mbledhim kryesinë e partisë dhe do të shikojmë se cila duhet të jetë pjesa e dytë e veprimit. Ne si AKR vazhdimisht kemi kërkuar brenda koalicionit LAA që të lëvizet drejt gjetjes së një formule që vendi të mos ngelet i bllokuar. Por LDK deri tani nuk e ka bërë asnjë lëvizje, dhe është ajo që duhet ta ndalojë bojkotin”, ka thënë Bahtiri.