Nënkryetari i AAK-së: Shteti reagoi me vonesë për Haradinajn

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi, është shprehur i pakënaqur me rolin e shtetit të Kosovës për ndalimin e Ramush Haradinajt në Francë.

Lajme

13/01/2017 23:39

Ai ka thënë se reagimet e institucioneve të Kosovës kanë qenë të zbehta dhe, sipas Isufit, këto tregojnë se qeveria aktuale i ka parasysh interesat e veta e jo të qytetarëve.

Në intervistën për Epokën e Re, Isufi nuk e ka hedhur poshtë mundësinë që në rastin e Haradinaj të ketë gisht edhe politika vendore.

Sipas tij, Haradinaj u pengon të gjithë atyre që janë kundër interesave të Kosovës si dhe atyre që e duan Kosovën të varur.

Megjithatë, ai ka thënë se Haradinaj do të lirohet shumë shpejt, pasi lufta e UÇK’së ka qenë e pastër dhe e drejtë.

Isufi u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore t’i ndërpresin bisedimet me Serbinë, e cila, sipas tij, është duke e vazhduar politikën e Millosheviqit.