Nenadi bashkon serbët në KQZ

Kryeministrat Thaçi dhe Dacic janë marrë vesh në takimin e fundit në Bruksel që SLS dhe Iniciativa Qytetare Serbe ta gjejnë një përfaqësues të pranueshëm për të dyja partitë në KQZ. Lajmi.net mëson se ai është Nenad Rikallo.

Lajme

14/10/2013 16:05

Pjesëmarrja e serbëve të Veriut në zgjedhjet lokale në Kosovë, me mbështetjen e Qeverisë së Serbisë, ka bërë që të ndryshojë edhe përbërja e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Deri tash, serbët janë përfaqësuar me një anëtar në KQZ, i cili, sipas rezultatit të zgjedhjeve të fundit që janë mbajtur në vend, i ka takuar Partisë Liberale Serbe të Zv.Kryeministrit, Slobodan Petrovic.

Por, pas pjesëmarrjes në zgjedhje të Iniciativës Qytetare Serbe, që ka mbështetjen e Qeverisë së Serbisë, është dashur të gjendet një kompromis për përfaqësimin e kësaj iniciative në KQZ.

Burime të sigurta të lajmi.net bëjnë të ditur se Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Dacic, janë marrë vesh në takimin e fundit në Bruksel, që Partia e Pavarur Liberale dhe Iniciativa Qytetare Serbe ta gjejnë një emër të pranueshëm për të dyja partitë, i cili do t’i përfaqësojë ato në KQZ.

Lajmi.net mëson se emri i kompromisit midis këtyre dy subjekteve serbe është – Nenad Rikallo, i cili njihet si përfaqësues i shoqërisë civile. Ai ka punuar edhe për Misionin e OSBE’së në Kosovë.

Dakordimi i fundit i Thaçit dhe Dacicit për përfaqësimin e serbëve në KQZ, tashmë ka nisur edhe të zbatohet në praktikë. Lajmi.net merr vesh se anëtari i KQZ’së nga SLS, Goran Zdravkovic, tashmë ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, për t’i hapur rrugë përfaqësuesit të përbashkët në KQZ, Nenad Rikallo.

Këtë e konfirmon edhe Këshilltari Ligjor i Presidentes Atifete Jahjaga, Selim Selimi.

“Po. Sot ka arritur në Presidencë dorëheqja e anëtarit të KQZ’së, Goran Zdravkovic”, ka konfirmuar Selimi për lajmi.net.

“Ndërkohë, ne ende nuk kemi marrë një propozimin e ri për anëtar të KQZ’së, për ta zëvendësuar anëtarin e deritanishëm. Presim që procedurat për zgjedhjen e anëtarit të ri të kryhen brenda kësaj jave”.

Serbët do ta kenë një ZëvendësKryeshef të Sekretariatit të KQZ’së, i cili do të punojë aty me kontratë mbi vepër, për një periudhë të caktuar deri në përfundimit e procesit zgjedhor të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit.

Për këtë ka marrë sot vendim KQZ, duke emëruar Anëtarin e dorëhequr të KQZ’së, Goran Zdravkovic, në pozitën e Zëvendëskryeshefit të SKQZ’së.

“Emërimi i tij u bë në bazë të autorizimit që jep neni 63 mbi Zgjedhjet e Përgjithshme dhe nenit 12 pika 4 i Ligjit për Shërbimin Civil, në periudhë të caktuar deri në certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve lokale 2013”, thuhet në një njoftim të KQZ’së.

“Emërimi i Zdravkovic u bë duke pas për bazë edhe përvojën e tij të gjatë në proceset zgjedhore, si dhe nevojën e përgatitjes dhe të implementimit sa më të mirë të këtyre zgjedhjeve. KQZ, për katër here me radhë, ka bërë përpjekje të zgjedhë Zv.Kryeshefin e SKQZ’së, mirëpo konkursi ka dështuar për shkak të mungesës së kandidatëve të suksesshëm”.