Nën hetime 18 pjesëtarë të EULEX-it

Skandalet e misionit të rendit dhe ligjit, EULEX kanë shokuar BE-në. Tashmë atje po kryhen hetime të pavarura dhe dyshohet se 18 pjesëtarë të EULEX janë duke u hetuar. 

Lajme

06/11/2014 08:08

Diplomatët dhe zyrtarët evropianë në Bruksel janë të shokuar së pari për shkak të seriozitetit të dyshimeve për korrupsion dhe ndërhyrje politike në hetime të EULEX-it, por edhe më shumë për përshtypjen se strukturat e BE-së kanë tentuar t’i mbulojnë gjurmët e këtyre shkeljeve të rënda, shkruan sot Koha Ditore.

Prandaj, edhe pse e kanë mirëpritur vendimin e Mogherinit që një “ekspert i pavarur” të bëjë hetime, mbajnë rezervat e tyre dhe mundësinë që, megjithëkëtë, Parlamenti Evropian të bëjë hetimet e veta.

Nga EEAS dhe EULEX-i kanë pranuar që për këto pohime për korrupsion kishin kuptuar që në vitin 2013, dhe atëherë ishin nisur hetimet e brendshme. Por ato “hetime preliminare”, sipas burimeve të gazetës në Bruksel “nuk sollën rezultate” dhe se “në bazë të ekzaminimit të detajuar të rezultateve nuk u dëshmua se këto dyshime, në këtë moment, janë të vërteta”.

Por me këto arsyetime se “ka pasur hetime serioze, por ato kanë konkluduar se nuk ka të vërteta në këto dyshime”, pakkush është i kënaqur dhe duket se edhe vetë përfaqësuesja e lartë e BE-së, Mogherini, është e vetëdijshme për këtë. Prandaj tash nga EULEX-i dhe nga EEAS-i thonë se “hetimet janë duke vazhduar edhe në këtë moment”.

Sipas të njëjtave burime, “së paku 18 persona nga radhët e EULEX-it dhe shumëmë shumë nga disa shtete anëtare janë nën hetime”, kanë thënë këto burime, shkruan sot Koha Ditore.