“Neji i ngjan njeriut”

Muzikanti dhe kompozitori turk, Omar Faruk Tekbilek: “Asnjëherë nuk jam ndikuar nga kombësia e njerëzve, qofshin armenë, kurdë, iranianë apo grekë, sepse në jetën time ka pasur shumë muzikantë të këtyre kombësive."

ShowBiz

21/06/2017 15:46

Omar Faruk Tekbilek, muzikanti dhe kompozitori turk me famë botërore, thotë se dëshiron që t’i bëjë njerëzit ta ndiejnë qetësinë që ka brenda teksa bën muzikë në koncertet që organizon anembanë botës.

Tekbilek, i cili gjendet në Shkup si i ftuar i Institutit Junus Emre në Shkup në kuadër të Festivalit Vera e Shkupit, në një intervistë për Anadolu Agency (AA) tha se me muzikën është njohur qysh në moshë të vegjëlisë. Ai thotë se ka filluar të merret me muzikë në moshën 11 vjeçare, duke u inspiruar nga dy vëllezërit e tij më të mëdhenj që merreshin me art.

Ai rrëfen se deri në kohën kur ka migruar në Stamboll në moshën 16-vjeçare ka shënuar avancim të konsiderueshëm në muzikë, ndërsa shton se dy ditë pas ardhjes në këtë qytet ka gjetur punë si fyelltar pranë muzikantit Ahmet Sezgin.

Teksa ka interpretuar në Stamboll për nëntë vite, ai tregon se pas Ahmet Sezginit ka pasur rastin të punojë edhe më shumë emra të rëndësishëm si Yıldıray Çınar, Huri Sapan dhe Mine Koşan. Ai po ashtu thotë se ka punuar edhe në studio dhe ka bërë kursime, kurse në vitin 1976 ka migruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Tekbilek thekson se dy vite pasi kishte shkuar në Stamboll kishte filluar të luante me nej (lloj flauti), instrument për të cilin Tekbilek thotë se është më i shkëlqyeshëm se fyelli, ndërsa së bashku me të ka luajtur edhe me bagllama (lloj instrumenti me tela).

Braktisa shkollën, por jo edhe mësimin

Tekbilek rrëfen se pas shkollës fillore ka vazhduar të ndjekë mësimet në medrese, por për shkak të mundësive financiare ka lënë në gjysmë procesin arsimor. “Braktisa shkollën, por, siç them gjithmonë, jo edhe mësimin, falë Zotit. Vazhdimisht kam zhvilluar veten. Domethënë, në aspektin shpirtëror, gjatë jetës vazhdimisht e kam ndier spiritualitetin, themelin dhe mëshirën e të mësuarit nga medreseja”, shton Tekbilek.

Ai vë në dukje se spiritualiteti, të qenët musliman, njohja e fesë, vështrimi i ngjarjeve gjithnjë me dashuri për njerëzit dhe angazhimi për misticizëm (tasavvuf) e kanë orientuar në mënyrë serioze drejt muzikës.

Sipas Tekbilek, rëndësia më e madhe e nejit, i cili sipas tij i ngjan njeriut, është se ai përfaq mallin për Zotin. “Dhe, natyrisht, gjëja më me rëndësi është fryma, sepse në çdo frymosje tonën në një me ‘Hu’ në fakt artikulohet emri i Zotit. Zoti i Madhërishëm ka vendosur emrin e tij në frymën tonë. Ne themi ‘Hu’ edhe kur marrim frymë, edhe kur e nxjerrim atë. Unë e kam ndier veten me fat me kënaqësinë dhe begatinë e ‘Hu-së’”, tha ai.

Tekbilek thotë se zotëron të gjitha instrumentet ritmike, si neji, bagllama, fyelli, zurna, uda (lloj instrumenti me tela), kurse neji për të ka rëndësi të veçantë.

Kur bëjmë muzikë, shpirtrat tanë e sodisin njëri-tjetrin

Tekbilek thotë se kur interpretohet muzikë, shpirtrat kontaktojnë me njëri-tjetrin. “Asnjëherë nuk jam ndikuar nga kombësia e njerëzve, qofshin armenë, kurdë, iranianë apo grekë, sepse në jetën time ka pasur shumë muzikantë të këtyre kombësive. Ne gjithnjë e kemi dashur njëri-tjetrin si njeri. Për këtë arsye, kur ne bëjmë muzikë, hiqet lëvozhga dhe shpirtrat tanë sodisin njëri-tjetrin”, shprehet Tekbilek.

Më tej, ai thotë se kur Zoti përkufizoi njeriun në Kur’an, nuk e përkufizoi atë në bazë të nacionalizmit, porse nacionalizmë është sajesë e njeriut. Tekbilek thekson se nga kjo dukuri ka shpëtuar në saje të muzikës dhe se muzika është gjuha e përbashkët e njerëzve.

Ai shprehet se dëshiron që t’i bëjë njerëzit ta ndiejnë qetësinë që ka brenda teksa bën muzikë në koncertet që organizon anembanë botës, duke shtuar se këtë mesazh e ka përçuar në të gjitha kompozimet dhe albumet e tij.

Tekbilek i përmendi fjalët në albumin e tij të titulluar “Love is My Religion” i cili ka dalë në muajin maj, ku thotë se “Kemi harruar të themi ‘ne’ duke thënë ‘unë’, e jo ‘ti’, kemi tharë filizin e dashurisë në zemrat tona, kemi barasvlerësuar dëshirën e Zotit me egon tonë, kemi harruar të dëgjojmë zërin e zemrave tona”, duke e theksuar nevojën që t’i motivojmë njerëzit ta përjetojnë mëshirën e të thënit “Ne”.

Konservatorët e hapur janë të një dobie të madhe

Duke folur mbi gjendjen e tregut të muzikës, Tekbilek më tej vazhdon: “Në misticizëm thonë: ‘Çdo grimcë është e zgjuar, çdo grimcë është në lëvizje, vrapon drejt përkryerjes’. Pra, përkryerja nuk ka marsh për kthim mbrapa, e as frena. Qoftë edhe ngadalë, çdo gjë ecën drejt përkryerjes. Gjatë kësaj ecjeje drejt përkryerjes, ndonjëherë ka ngadalësim, ndonjëherë stagnim, por çdo gjendje në fakt është përvojë. Nëse këtë gjë e shikojmë nga aspekti i historisë sonë, kjo gjë vjen që nga epoka e Republikës. Në fakt, ishte shumë e begatshme në vitet e 70-ta. Më pas, me ardhjen e modernizmit, nga vitet e 70-ta deri në vitet 2000 ndodhi një zmbrapsje, por dalëngadalë ka filluar të ecën. Pa dyshim, dobi të madhe kishte nga konservatori që u themelua në Turqi pas vitit 1975. Produktet e tij sot janë të shumta”.

Sipas Tekbilek, nëse duam ta kuptojmë nivelin e kulturës së një populli, atëherë duhet shikuar muzika e atij populli.

Ai tregon se në vitet e mëparshme ka organizuar koncerte në Ballkan, një herë në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe disa herë në Greqi. Ndërkaq, ai thotë se do të dalë për herë të parë në skenë përballë admiruesve të tij.

Teksa bën kompozimet e tij, Tekbilek thotë se frymëzohet nga gjërat e atypëratyshme, ndërsa që nga fëmijëria nuk ka bërë plane për në të ardhmen, por, siç shprehet, ka interpretuar muzikën e tij drejt rrjedhës së jetës.

Në jetën time marr shembull Profetin Muhamed

Mjeshtri i muzikës, Tekbilek, tha se gjatë jetës së tij, gjithnjë merr si shembull dhe ideal Profetin Muhamed. Ndërkaq, udhëzuesi më i rëndësishëm në aspektin e muzikës, siç thotë, është mësuesi i tij i parë. “Ai u largua nga kjo jetë, ndërsa unë më pas erdha në Stamboll. Orhan Gencebay u bë trungu i pemës sime, sepse mësova kompozicionin. Orhani ishte ideali im më i madh në karrierën time muzikore, por edhe si njeri”, thekson Tekbilek.

Duke folur për muzikantin turk Orhan Gencebay, Tekbilek thotë se ai ishte njeri i dhembshur dhe njeri të cilin e admiron.”Ai nuk lëndonte askënd. Zemra e tij ishte e mbushur me dashuri dhe dhembshuri. Po ashtu, ai kishte shumë dije. Domethënë, shikuar idealin apo shembullin nga ai aspekt, njerëzit që admirojmë, për mua ky është Orhan Gencebay”, thotë në fund Omar Faruk Tekbilek për AA.