Negociatat për emrin, propozimet mbahen të fshehta

Të panjohura akoma mbeten propozimet për të cilat u negociua mbrëmë në Nju Jork mes negociatorëve dhe ndërmjetësit të OKB-së Metju Nimic. E përditshmja greke “Ethnos” shkruan se Nimic në tavolinën e negociatave ofroi këto...

Lajme

18/01/2018 16:10

Të panjohura akoma mbeten propozimet për të cilat u negociua mbrëmë në Nju Jork mes negociatorëve dhe ndërmjetësit të OKB-së Metju Nimic. E përditshmja greke “Ethnos” shkruan se Nimic në tavolinën e negociatave ofroi këto propozime: “Maqedonia e Re”, “Maqedonia e Epërme” si dhe “Maqedonia Veriore”

Detaje nga takimi nuk japin as në Qeveri e as në Ministrinë e Jashtme. Nga Qeveria thonë se në mënyrë aktive po krijohen kushte për ta çuar procesin përpara, ndërsa rezultati do të varet nga gatishmëria e të dyja palëve për kompromis, duke i pasur parasysh dallimet.

Zv.kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani ndërkaq paralajmëroi se të hënën Qeveria do të mblidhet për ta shqyrtuar kornizën dhe për të ndërtuar një qëndrim të përbashkët. Nga ana tjetër zëdhënësi i Qeverisë greke, Dimitris Canakopulos tha se edhe Qeveria greke do të bëjë çmos për zgjidhjen e kontestit pa i cenuar interesat nacionale dhe duke dalë fituese të dyja palët.

“Negociatat nuk janë ndeshje futbolli që të ketë fitues dhe humbës. Ne duam një zgjidhje nga e cila të gjithë do të jemi fitues. Korniza e përgjithshme e Qeverisë është të gjendet një emër kompleks për përdorim të përgjithshëm, që t’i jep fund pezullimit 25 vjeçar” – tha Dimitris Canakopulos, Zëdhënës i Qeverisë së Greqisë.

Ministri i Politikës Digjitale, Telekomunikimeve dhe Informatave, Nikos Papas theksoi se të gjithë palët duheshin pajtuar, për shkak se në marrëveshjen e përkohshme ekzistonte termi “Maqedoni” dhe të gjithë e kishin pranuar të njëjtin. Nga ana tjetër kryeministri Bullgar Bojko Borisov, vendi i të cilit kryeson me BE-në, kërkoi nga dy kryeministrat Zaev dhe Cipras që të ulen dhe bashkë të zgjidhin kontestin, duke përmendur shembull marrëveshjen Maqedoni-bullgari. Një takim i mundur mes Zaevit dhe Ciprasit u paralajmërua për më 24 janar në Davos të Zvicrës.