Ekspertët: Në zgjedhjen e Presidentit kuorumin e bëjnë 80 deputetë

Numri i deputetëve të pranishëm në seancën e zgjedhjes së Presidentit të vendit për të bërë kuorumin duhet të jetë 80. Ky është vlerësimi i njohëseve të kosovarë të Kushtetutës së Kosovës, të cilët hedhin poshtë interpretimin se për tu bërë kuorumi për zgjedhjen e Presidentit duhet të jen të pranishëm 120 deputetë.

Lajme

27/01/2016 13:50

Ish-zyrtari ndërkombëtarë në Kosovë, Andrea Lorenzo-Caupssela, në një shkrim autorial duke interpretuar vendimin e Kushtetueses për rastin Pacolli, ka thënë se vetëm një deputetë nëse mungon pa arsye, atëherë kuorumi nuk është i mjaftueshëm.

Por, këtë konstatim të këtij juristi ndërkombëtar, e hedhin poshtë njohësit e kushtetutës Mazllum Baraliu e Dren Ajeti, raporton lajmi.net.

Sipas tyre, Kushtetua e Kosovës e precizon qartë se në zgjedhjen e Presidentit duhet të jenë të pranishëm 2/3 e deputetëve.

Profesori universitar Mazllum Baraliu, thotë se nuk është e nevojshme që në seancën e zgjedhjes së Presidentit të vendit të jenë të pranishëm 120 deputetë.

“Nuk mendoj që fryma e Kushtetutës dhe kuptimi i saj që është shkruar në dispozitën përkatëse ka të bëjë me një kuptim të tillë që 120 deputetet do të duhej të ishin në Kuvend të pranishëm për të bërë kuorumin për zgjedhjen e Presidentit”.

“Kushtetuta e Kosovës është e qartë në formulimin e saj ku thotë se ‘Duhet të jenë 2/3 e  të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës’, që do të thotë për zgjedhjen e Presidentit do duhej të ishin 80  e më shumë deputetë, për të pasur kuorumin për zgjedhjen e Presidentit”, ka thënë Baraliu për lajmi.net.

Edhe Dren Ajeti nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka vlerësuar se në seancën e zgjedhjes së Presidentit kërkohet pjesëmarrja e 80 deputetëve për tu zhvilluar seanca.

Ajeti për lajmi.net ka thënë se duhet bërë dallime në mes të rregullores për kuorum dhe përgjegjësisë së deputetëve për pjesëmarrje në seanca.

“Ne kuptimin e aktgjykimit te Gjykatës Kushtetuese ne rastin e vendimit për zgjedhjen e Pacollit president, ne seancën për zgjedhjen e Presidentit të Republikës kërkohet qe te përmbushet kuorumi i pjesëmarrjes prej 2/3 e te gjithë deputeteve (80 deputetë) ne mënyrë qe te zhvillohet seanca. Pra, në të tre raundet e votimit ne seancën për zgjedhjen e presidentit duhet qe te jenë prezent dhe votojnë së paku 2/3 e deputetëve në mënyrë që të konsumohen raundet e përcaktuara me Kushtetutë”.

“Përndryshe, nuk duhet bere përzierje ne mes te rregullës mbi kuorumin (qe është 2/3 e te gjithë deputeteve) dhe përgjegjësisë statusore qe kane deputetet për te marr pjese ne seanca”, ka vlerësuar ai.

Gjykata Kushtetuese në mars të vitit 2011 kishte shpallur jo kushtetues zgjedhjen e Behgjet Pacollit President të vendit për shkaka të mungesës së kuorumit ku në raundin e tretë të pranishëm në Kuvend ishin vetëm 67 deputetë.