Në zgjedhje për zgjidhje

Zgjedhjet e reja parlamentare të 11 qershorit e gjejnë Kosovën të paanëtarësuar në OKB, të mosnjohur si shtet i pavarur nga pesë vende anëtare të BE-së si dhe katër shtete ballkanike. Ende nuk i kemi përcaktuar e konsoliduar kufijtë politikë me shtetet fqinjë. Kriza politike është ndjeshëm e pranishme në Maqedoni, Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë etj. Miqtë dhe aleatët tanë strategjikë euroatlantikë, të përballur me vendimin për të hyrë në zgjedhje të parakohshme, shpejtuan të theksojnë përgjegjësinë, angazhimin dhe sfidat që duhet të mbahen në vëmendje gjatë gjithë procesit të përgatitjes, zhvillimit e administrimit të rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit.

Opinion

22/05/2017 14:54

Tashmë kemi hyrë në fushatën zgjedhore. Zhvillimi i tyre brenda afateve kushtetuese as që diskutohet. Shqetësim dhe vlerë për mbarë qytetarët tanë nuk janë zgjedhjet, por zgjidhjet që ofron politika.

Për të bërë ndonjë parashikim është e domosdoshme të deklarohet e të pranohet nga mbarë opinioni dhe elektorati arsyeja thelbësore që çoi në rrëzimin e Qeverisë, shpërndarjen e Kuvendit dhe dekretimin e zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Pa pretenduar se shpall të vërtetën e arsyes së këtij akti, me përgjegjësi e peshë historike për të sotmen dhe të nesërmen jetike të Kosovës, që u ndërmor në një moment të papërshtatshëm politik edhe për fqinjët tanë shtetërorë, mendoj se e gjithë situata u kushtëzua nga papërgjegjshmëria, mungesa e dialogut dhe “mallkimi” i kompromisit për t’u dhënë zgjidhje dy çështjeve dominuese: demarkacionit dhe asosiacionit. Poashtu ndikoi edhe shndërrimi i pushtetit të lartë legjislativ, Kuvendit, në një institucion jo veprues për një kohë të gjatë.

Kuvendi i deridjeshëm i Kosovës, me zhvillimet anormale,që e bënë të njohur në mbarë botën, ndoshta duhej shpërndarë edhe më herët. Sidoqoftë, asnjëherë nuk është vonë për të rregulluar ”defektet”, që na sollën disi papritur në zgjedhje të parakohshme.

E di që është ende shpejt për të gjykuar rreth pritshmërive të zgjedhjeve të reja, por jam mirëbesues në vlerën pozitive të hapave të parë të forcave politike për hyrjen në to. Grupimet paraelektorale të spektrit politik, përcaktimi i cilësuar i emrave dhe i CV-ve, të emrave të kryeministrit të çdo grupimi politik, dëshmojnë transparencë dhe garanci për zgjedhësit.

Nuk dyshoj në mbështetjen me votë nga elektorati të aleancës mes PDK-së, AAK-së dhe Nismës. Janë bashkuar për të hyrë në zgjedhje tri parti me udhëheqës e anëtarë që kanë një të shkuar jo të largët për kontributet në çlirimin e Kosovës, për vlerësimin e arritjeve të luftës, por dhe të “përndjekur” dhe të akuzuar për tejkalim të të drejtave të saj. Pra, në këtë aleancë parazgjedhore u bashkuan të bashkueshmit; krahinisht, shoqërisht, organizativisht në luftë e politikisht në parti.

Nuk më takon, por më së shumti nuk më intereson të gjykoj për konkurrentët tanë më 11 qershor. Kam besim që ne, PDK-ja, AAK-ja dhe Nisma do t’i fitojmë ato! Por kam kryesisht dy shqetësime: A do të ketë ky koalicion një shumicë të mjaftueshme në Kuvend për të vendosur me votë zgjedhjen e problemeve që kushtëzuan shpërndarjen e parakohshme të Kuvendit? Dhe, a do të jenë konsekuentë të gjitha grupimet politike në Kuvend për të votuar vendimet jetike për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës, që ndonjëherë kanë kundërvënë politikëbërjen e Kosovës me atë ndërkombëtare? E kuptoj që këto shqetësime do të marrin përgjigje së shpejti. Por aleanca zgjedhore e sapokrijuar mendoj se, e identifikuar me liderët, është shpresëdhënëse dhe e aftë për t’i shndërruar zgjedhjet në zgjidhje e për t’u dhënë përgjigje pikëpyetjeve për rrugëzgjidhje.

Unë besoj në të ardhmen evropiane të Kosovës. Besoj në vitalitetin gjenetik të shqiptarëve. Besoj që në momente emergjente për popullin dhe kombin, shqiptarët kanë ditur të gjejnë rrugën më të pranueshme për zgjedhje pozitive. Shteti i Kosovës tashmë ka një përvojë të mjaftueshme, jo vetëm si shtet demokratik, por dhe si spektër politik, që të ofrojë dhe të arrijë një zgjidhje përmes zgjedhjeve, që do të shpejtojë anëtarësimin tonë të merituar prej kohësh në OKB; hapjen e negociatave për anëtarësim në BE; njohjen nga të gjitha anëtaret e BE-së të Republikës së Kosovës.

Dua të besoj se zgjedhjet e 11 qershorit do t’i hapin rrugë në një të ardhme të afërt Kosovës shtet, ashtu siç e duam ne.