Në “uzdajë” të Gjykatës Speciale

Kuvendi i Kosovës ka kohë që ka votuar për themelimin e një Gjykate Ndërkombëtare në Kosovë, e njohur për të gjithë ne si Gjykata Speciale, por ky nuk është i vetmi problem që bartë me vete kjo Gjykatë. Shqetësuese është mënyra se si po përdoret Gjykata Speciale nga një pjesë e caktuar e spektrit politik në Kosovë.

Opinion

26/04/2017 13:37

I vetëdijshëm që Serbia ka punuar shumë për ta sjellë Gjykatën Speciale në Kosovë, qoftë direkt apo indirekt duke shfrytëzuar lidhje, aleanca të caktuara me faktorin ndërkombëtarë,  madje kur është votuar në Kuvend ata kanë festuar sepse ajo fshihet pas shtrembërimit të fakteve që kanë çuar deri te presioni ndërkombëtarë për ta themeluar këtë Gjykatë. Por pyetja është kështu; Përse sa herë vjen koha e zgjedhjeve në Kosovë, shihet qartë se vetëm Serbia nuk ishte gëzuar për themelimin e Gjykatës Speciale në Kosovë por fatkeqësisht edhe njerëz dhe subjekte politike brenda Kosovës, madje me deklarata të caktuara politike ata goxha e kanë ndihmuar shtyrjen e këtij procesi përpara ?

Nëse një lider politik siç është Isa Mustafa bashkë me eksponentët e tjerë politik te LDK-së  ndër vite flet për vrasjet politike të njerëzve të LDK-së para dhe pas luftës dhe drejton gishtin kah kundërshtarët politik kjo të krijon hapësirë për të menduar çdo lloj opsioni deri tek shfrytëzimi i figurave të vdekura të LDK-së për çështje votash.

Nëse ka ndonjë subjekt politik që nuk mund të viktimizohet duke i përmendur vrasjet politike ajo është LDK-ja, sepse i kanë pasur dy raste jetike për ti zbuluar vrasjet; rasti i parë ka të bëjë me një iniciativë para disa kohe në Kuvend për ta hetuar SHIK-un që LDK aludon se kjo organizatë ti ketë kryer vrasjet dhe ata asnjëherë nuk e nënshkruan iniciativën e tillë, ndërsa rasti i dytë është se që nga paslufta ata vetëm njëherë nuk kanë qenë në pushtet dhe të gjitha herëve të tjera ishin në pushtet madje kanë drejtuar edhe ministri me ndikim nga të cilat kanë pasur mundësi të marrin iniciativa për t’i zbuluar vrasjet politike e deri në kohën e sotme kur ata e kanë edhe kryeministrin e tyre dhe nëse ka diçka siç ata pretendojnë dhe propagandojnë atëherë le ti zbulojnë.

Por jo, natyrisht se vrasjet politike ata i kanë si xhoker për poena politik ndërsa Gjykaten Speciale e kanë si “uzdajë” për të ardhur në pushtet si parti e parë.

Sa herë afrohen zgjedhjet në skenë shfaqet tema e vrasjeve politike por edhe kërkesa e tyre për ti zbuluar vrasësit ndërsa vetë e kanë humbur çdo mundësi për ti zbuluar ato.

Gjykata Speciale gjithmonë sipas informatave që u janë plasuar opinionit publik do t’i trajtojë disa ish-komandantë të luftës e që shumë prej tyre tash janë pjesë e PDK-së dhe disa prej tyre edhe pjesë e AAK-së, dhe duke dashur ta dëmtojnë PDK-në përmes këtyre figurave dëshirojnë të marrin terren në pjesë të caktuara të Kosovës ndërsa duke dashur të dëmtojnë AAK-në e cila konsiderohet si parti rajonale, dëshirojnë të shtrihen në Dukagjin dhe vetëm në këtë kombinim të terreneve dhe të votave mund të dalin të parët.