Në takimin e Veselit me ambasadorët u diskutua zgjedhja e presidentit dhe dhuna e opozitës

Në takimin që kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, sot ka zhvilluar me ambasadorët e SHBA-së, Britanisë dhe atë të Norvegjisë, është diskutuar për zgjedhjen e presidentit, gjë për të cilën ata kanë kërkuar që të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Temë diskutimi ka qenë edhe fushata e partive opozitare, të cilën ambasadorët në këtë takim e kanë cilësuar si të papranueshme, duke thënë se përmes dhunës nuk duhet të diktohen vendimet politike.

Lajme

11/02/2016 14:07

Në një njoftim të Kuvendit, pas takimit, thuhet se kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, priti sot në takim Ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, Ambasadorin e Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, si dhe Ambasadorin e Norvergjisë, Jan Braathu, me të cilët u diskutua për proceset aktuale politike në vend, krizën nëpër të cilën po kalojnë raportet në mes pozitës dhe opozitës, me theks të veçantë reflektimin e tyre në punë e Kuvendit të Kosovës, raporton lajmi.net.

3

Ambasadorët sipas këtij njoftimi, thuhet të kenë theksuar domosdoshmërinë që të hiqet dorë nga përpjekjet që përmes dhunës të diktohen vendimet politike, përfshirë këtu edhe zgjedhjet, sepse kjo bie në kundërshtim me parimet demokratike.

“Përpjekje të tilla janë duke e dëmtuar shumë imazhin e vendit dhe përparimin e Kosovës në zhvillimin ekonomik dhe fuqizmin demokratik të shtetit”.

Në anën tjetër, kryetari Veseli sipas njoftimit, nga ana e tij ka theksuar se vazhdon të besojë dhe angazhohet që fryma e dialogut dhe komunikimit në fund do të dominoj mbi të gjitha tendencat destruktive politike.

2

Në këto takime zyra për media e Kuvendit thotë se është biseduar edhe rreth procesit të zgjedhjes së presidentit të ri të Republikës së Kosovës.

“Ambasadorët kërkuan që ky proces të jetë në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, ndërsa Kryetari Veseli theksoi se procesi i zgjedhjes së Presidentit të Kosovës do të jetë plotësisht kushtetues, demokratik, transparent dhe inkluziv”, thuhet në njoftim. /lajmi.net