Në Skenderaj sa për adet

Isa Mustafa deklaroi në Skenderaj se LDK kësaj radhe do t'i ruajë votat në këtë qytet dhe në gjithë Kosovën. Ai tha se për LDK’në, vota është e shenjtë dhe është themel i demokracisë.

Lajme

16/10/2013 15:37

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur një tubim elektoral në Skenderaj, vendy ky që njihet si kështjella më e fortë e PDK’së.

Aty, Isa Mustafa deklaroi përkushtimin për mbrojtjen e votës. Ai tha se LDK kësaj radhe do t’i ruajë votat në Skenderaj dhe në gjithë Kosovën, duke vlerësuar tutje se për LDK’në vota është e shenjtë dhe është themel i demokracisë.

“Ne do të angazhohemi që vota të ruhet, që vota të jetë pasqyrim i rezultatit. Vota për LDK’në i ndihmon Skenderajt dhe krejt Kosovës”.

“Ne nuk kërkojmë asgjë tjetër përveç zhvillimit të një demokracie, ku qytetarët do të jenë të lirë për të votuar dhe për zgjedhur përfaqësuesit e tyre”.

“Nuk kemi asgjë më të shenjtë se votën tonë dhe nëse dikush na përzihet në votën tonë, nëse dikush na i mbush kutitë, nëse dikush përdor shpërblime dhe kërcënime që njerëzit të votojnë ndryshme, atëherë ne e deformojmë demokracinë dhe nuk e krijojmë një të ardhme që ne dëshirojmë”.’

Gjatë takimit me elektoratin e Skenderajt, Isa Mustafa u shpreh se LDK i mbron orientimet e saj politike që fillojnë në vitin 1989 me Presidentin Ibrahim Rugova.

“Orientimet tona për Skenderajn dhe gjithë Kosovën i respektojnë parimet europiane, respektojnë njeriun, respektojnë fenë, respektojnë demokracinë”.

“Orientimet e LDK’së synojnë zhvillimin e një ekonomie të tregut, një ekonomi të lirë dhe të padiskutueshme, një arsim i cili do t’ju ofrojë të rinjve tanë një perspektivë dhe dituri për të qenë konkurrentë me të rinjtë e tjerë, një komunë e cila do të jetë në shërbim të qytetarit”.

“Rinia që po merr pjesë në tubimin zgjedhor të LDK’së në Skenderaj, tregon se janë ardhmëria e Skenderajt, e LDK’së dhe e gjithë Kosovës”.

“Ne besojmë fuqishëm në çdo qytetar të Skenderajt, besojmë në votën e tyre, besojmë në arsyet që ata i kanë për të votuar LDK’në dhe partitë tjera, sepse ne jemi një shtet që dëshirojmë të zhvillojmë demokracinë, një shtet pluralist me shumë orientime politike”.

Mustafa i ka dhënë mbështetje Kandidatit për Kryetar të Skenderajt, Cenë Behramit dhe kandidatëve për Këshilltarë Komunalë,  pasi sipas tij, ‘ky është një program për të cilin qytetarët e Skenderajt e kanë alternativën e mirë dhe kjo alternativë është LDK’ja”.

Kandidati i LDK’së për Kryetar të Skenderajt, Cenë Behrami tha se qytetarët janë të frikësuar, siç ishte edhe ai i frikësuar gjatë gjithë këtyre viteve, dhe si pasojë e kësaj frike ata nuk kanë marrë guximin që sot të jenë prezentë në tubimin e LDK’së.

“Ne nuk do të lejojmë që anarkia dhe kaosi urbanistik të vazhdojë në Skenderaj, sepse aktualisht po ndërton në qytet kujt t’i teket, por do të ketë mbizotërim të rregullave dhe të ligjit, dhe mbi bazën e kësaj pamja e qytetit të Skenderajt dhe të e fshatrave të kësaj komune do të ndryshojë dukshëm”.