Në shtator, Kosova në Interpol

Sido që të jetë puna e institucioneve të reja, përpjekja për anëtarësim në institucione ndërkombëtare vazhdon.

Lajme

17/07/2017 22:33

Ministria e Punëve të Brendshme tashmë ka krijuar ekipin i cili po punon që Kosova të jetë pjesë e Interpolit. Ministri në detyrë, Skender Hyseni, beson se vendi ynë në shtator do ta marrë mbështetjen e nevojshme për t’u anëtarësuar në këtë organizatë ndërkombëtare të sigurisë.

Zyrtarët shtetërorë të Republikës së Kosovës i kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme me qëllim që këtë vit Kosova të jetë anëtare e Interpolit.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, shpreson se vendi ynë do ta marrë mbështetjen e nevojshme për t’u anëtarësuar në Interpol, megjithatë pranon se do të ketë sfida të mëdha gjatë këtij procesi.

Mediet në Beograd që dje kanë raportuar se shteti serb tanimë ka formuar mekanizmat shtetërorë, me qëllim që ta pengojë rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Interpol. Siç u raportua dje, për këtë pengesë zyrtarët serbë presin edhe ndihmën e Rusisë, të Kinës e të shteteve afrikane.

Sido që të jetë, Kosova i ka bërë tashmë të gjitha përgatitjet për anëtarësim në Interpol.

Sipas Hysenit, po vazhdohet të punohet për identifikimin e vendeve për lobim, me qëllim që shteti ynë në shtator të këtij viti të jetë anëtarja më e re e Interpolit.

Republikës së Kosovës i nevojiten dy të tretat e votave të shteteve të pranishme në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit që do të mbahet në Pekin.