Në rend Botsuana dhe Sudani i Jugut

Shefi i diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj, thotë se ka marrë premtime për njohje nga Botsuana dhe Sudani i Jugut.

Lajme

26/09/2013 12:38

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, gjatë qëndrimit në New York, ku po mbahet sesioni i 68-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, është takuar me Ministrat e Punëve të Jashtme të Botsuanës dhe Sudanit Jugor, ku ka kërkuar njohjen e Kosovës nga këto dy shtete.

Pas vizitës zyrtare që Hoxhaj ka zhvilluar në Botsuana në mars të këtij viti, takimi i sotëm me Ministrin e Jashtëm dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Botsuanës, Phandu T.C Skelemani në New York, thuhet se konfirmoi qëndrimin se njohja e Kosovës nga Botsuana është çështje procedurash.

Hoxhaj, gjatë ditës është pritur në takim në Misionin Permanent të Sudanit të Jugut në Kombet e Bashkuara, nga Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të këtij shteti, Barnaba Marial Benjamin.

Gjatë takimit, Ministri Hoxhaj kërkoi njohjen e Kosovës nga vendi më i ri në botë, duke theksuar se ndërmjet Kosovës dhe Sudanit të Jugut ekzistojnë ngjashmëri në kauzën e përbashkët si dy shtete të lira.

Ministri i Jashtëm i Sudanit Jugor, Barnaba Marial Benjamin, siç njoftohet, ka konfirmuar që njohja e Kosovës është çështje kohe.