Në QKUK shtohen procedurat, por jo ilaçet!

Disa kompani me të cilat kishte lidhur kontratë Ministria e Shëndetësisë, nuk po i përgjigjen kërkesave të QKUK'së dhe spitaleve për t’iu dërguar ilaçet.

Lajme

11/03/2014 07:42

Ndonëse ishte pritur që alokimi i buxhetit për ilaçet nga Ministria e Shëndetësisë në Qendra Klinike Univerzitare e Kosovës të mirëpritet nga zyrtarët e kësaj qendre, një gjë e tillë nuk po ndodh, shkruan sot Tribuna.

Kjo për faktin se disa kompani me të cilat kishte lidhur kontratë Ministria e Shëndetësisë, nuk po i përgjigjen kërkesave të QKUK’së dhe spitaleve për t’iu dërguar ilaçet.

Burime në QKUK thonë se kjo po shkakton telashe në sjelljen e ilaçeve nga disa kompani, pasi të njëjtat po thonë se nuk kanë kontrata me institucionin por me QKUK’në.

“Kompanitë po thonë se përgjegjësi kanë ndaj Ministrisë së Shëndetësisë e jo ndaj institucioneve shëndetësore”, thotë burimi brenda QKUK-së, sipas të cilit, tashmë është krijuar edhe një hallkë më shumë për arritjen e ilaçeve të listës esenciale në duart e pacientëve.

Pak a shumë të njëjtën gjë, për gazetën Tribuna e ka thënë para pak ditësh edhe Nexhmedin Shala, ndihmësdrejtor për shëndetësi. Sipas tij, në këtë stad, kjo është hallkë shtesë dhe burokratizim i procedurave.

“Në një stad tjetër kur QKUK do të këtë mundësi të lidhë vetë kontrata me operatorët ekonomikë. Ky decentralizim do të jetë më frytdhënës. Është fillimi dhe duhet pritur zhvillimin e gjërave”, ishte shprehur Shala.