Në qeveri thonë se taksa s’ka lidhje me stabilitetin e koalicionit qeverisës

Janë bërë pothuajse tre muaj prej kur Qeveria e Kosovës ka vendosur taksë 100 për qind ndaj mallrave që importohen nga Serbia.

Lajme

19/02/2019 13:05

Ky vendim i qeverisë ka bllokuar procesin e dialogut Kosovë-Serbi, pasi pala serbe ka deklaruar se nuk do të shkojnë në dialog pa u hequr taksa.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht i kanë bërë thirrje institucioneve kosovare ta pezullojnë këtë vendim, mirëpo kryeministri Ramush Haradinaj nuk po heq dorë.

Për taksën ka mospajtime edhe brenda koalicionit qeverisës. Kreu i PDK-së, njëherit kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli ka kërkuar që taksa të pezullohet, madje këtë e kërkoi edhe në shënimin e 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Gjatë fjalimit të Veselit në seancën solemne, ku po përmendej çështja e taksës dhe dialogut me Serbinë, Haradinaj u pa tejet i tensionuar. Mirëpo, ai ende nuk është deklaruar rreth kësaj çështje duke thënë se një gjë të tillë do ta bëj ditëve në vijim.

Në të njëjtën seancë, Veseli tha se rrëzimi i qeverisë nuk do të ndodhë për shkak të taksës por mund të ngjajë për shkak të interesave të qytetarëve të Kosovës.

Se taksa nuk ka lidhje me stabilitetin e koalicionit qeveritar, po e thotë këshilltari i kryeministrit, Avni Arifi.

“Nuk shoh arsye pse taksa duhet të lidhet as me dialogun e as me stabilitetin e koalicionit qeveritar. Janë tema krejt të ndryshme”, ka thënë Arifi për lajmi.net.

Sipas tij, është gabim të lejohet kushtëzimi i dialogut me procese që nuk ndërlidhen me të.

“Ne kemi qenë viktimë e konfliktit dhe nëse dikush është dashtë të kushtëzojë kemi qenë ne. Kushtëzimi i dialogut është precedent i keq. Kosova kurrë nuk e ka kushtëzuar dialogun”, është shprehur Arifi.

Sa i përket rrëzimit të qeverisë së kaluar për ‘shkak të demarkacionit’, Arifi ka thënë se atë nuk e ka bërë vetëm bllokimi i kësaj çështje.

“Qeverinë e kaluar nuk e ka rrëzuar vetëm demarkacioni por jo vendimmarrja totale në të gjitha temat që rezultojë në rënie drastike në sondazhe. PDK nga zgjedhjet e 2014-ës e në sondazhe të janarit 2017 ka pas rënie mbi 8%”, ka përfunduar Arifi.

Ndërsa mbrëmë shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi tha se kjo parti është e gatshme për zgjedhje duke shtuar se ato janë në favor të tyre. /Lajmi.net/