Në qershor u rrit çmimi i energjisë elektrike

Çmimi i energjisë elektrike është rritur dukshëm në qershor krahasuar me muajin maj të këtij viti.

Lajme

11/07/2017 16:06

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin qershor 2017.

Dhe sipas këtyre statistikave del që është rritur çmimi i rrymës elektrike për kwh.

Sipas ASK-së,  çmimi para një muaj për 1 kwh ka qenë 0.046 euro, ndërsa në qershor 0.064 euro, shkruan lajmi.net.

Ndërsa, Indeksi i harmonizuar i tërësishëm i çmimeve të konsumit në vend është më i lartë për 0,3% në muajin qershor 2017 krahasuar me muajin maj 2017.

Shkalla e inflacionit e matur në muajin qershor 2017 me muajin  qershor 2016 ishte  1,9%.

Indeksi i harmonizuar i tërësishëm i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0,3% në muajin qershor 2017 krahasuar me muajin maj 2017. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: pemët (5,6%), rryma, gazi dhe lëndë djegëse të tjera (17,9%)-(ngritje e çmimit të energjisë elektrike) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,9 për qind në IHÇK-it.

Ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet: qumështi, djathi dhe vezët (-2,2%), perimet (-8,2%), përdorimi i pajisjeve për transportin personal (-0,6%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0,6 për qind në IHÇK-it.

Indeksi i harmonizuar i tërësishëm i çmimeve të konsumit është më i lartë për 1,9 për qind në muajin qershor 2017 krahasuar me muajin qershor 2016 në këtë periudhë vërehen disa ndryshime të çmimeve të artikujve dhe shërbimeve te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it.

Ngritje e çmimeve të konsumit vërehet te nëngrupet: mishi (1,2%), qumështi, djathi dhe vezët (1,4%), pemët (12,4%),  sheqeri dhe ëmbëlsirat (6,2%), kafja, çaji dhe kakao (9,4%), uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet (1,3%), duhani (5,6%), rryma, gazi dhe lëndë djegëse të tjera (16,3%) – (ngritje e çmimit të energjisë elektrike për 25,4% krahasuar me tarifat verore të muajt qershor të vitit 2016), përdorimi i pajisjeve për transportin personal (3,8%)-(ngritje e çmimit të naftës dhe benzinës) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2,1 për qind në IHÇK-it.

Ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve në këtë periudhë te nëngrupet: blerja e automjeteve (-1,7%), pajisjet audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informatave (-6,8%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0,2 për qind në IHÇK-it./Lajmi.net/