Në qendrën e Vetëvendosjes në Shtime ia nxjerrin revolet njëri-tjetrit

Drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në Shtime nuk i kanë fare mirë raportet mes veti.

Lajme

12/08/2017 16:42

Ata, sipas burimeve që posedon lajmi.net, madje janë acaruar edhe më shumë me njëri-tjetrin, duke shkëmbyer edhe të shara, grushte dhe duke nxjerrë revolet në mbrëmjen e 9 gushtit.

Në këtë mbrëmje ata janë përfshirë edhe një zënkë të dhunshme me njëri-tjetrin.

Të përfshirë direkt në këtë zënkë mësohet se ishin Labinot Beqa, udhëheqës i Qendrës së Vetëvendosjes dhe asamblist në Kuvendin Komunal të Shtimes, pastaj Qemajl Aliu, kandidat për deputet në Parlamentin e Kosovës në zgjedhjet e vitit 2013, si dhe ish-udhëheqës dhe anëtar i kryesisë së Vetëvendosjes në Shtime, gjithashtu edhe Muharrem Beqa, anëtar i Vetëvendosjes dhe axhë i Labinot Beqës.

Shkaku i ardhjes deri te kjo zënkë thuhet se ka qenë dërgimi i një informate në qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë nga Qemajl Aliu, i cili është edhe familjar i Glauk Konjufcës, për shpenzimet financiare të udhëheqësit të Vetëvendosjes në Shtime, Labinot Beqa, që është akuzuar prej tyre për shpenzime marramendëse dhe luksoze gjatë kohës sa ka menaxhuar me financat e Vetëvendosjes në Shtime, duke përfshirë edhe shkuarjen në pushime, pastaj edhe dreka e darka dhe shumë shpenzime tjera jashtë nevojave të partisë, transmeton lajmi.net.

Sipas burimeve brenda Vetëvendosjes në Shtime, aty po tentohet që përmes Qemajl Aliut dhe Valon Januzit, të eliminohet përkrahja për Rexhep Selimin, sepse Labinot Beqa, sipas po shihet si njeri shumë i afërt i Rexhep Selimit, kurse kjo po i pengon grupit të Dardan Molliqajt.

Gjithashtu, arsye tjetër mësohet se ka qenë edhe tendenca e eliminimit nga të gjitha strukturat vendimmarrëse të Vetëvendosjes në Shtime të Labinot Beqajt dhe Shqipe Baftiut për shkak të dështimit të tyre në zgjedhjet qendrore e lokale, gjë që do të dërgonte në fuqizimin e grupit të Qemajl Aliut.

Lajmi.net ka provuar të kontaktoj me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, për të marrë versionin e tij rreth kësaj ngjarje, por kontakti me të ka qenë i pamunduar.