Në PZAP arrijnë 18 ankesa të kandidatëve të pakënaqur me zgjedhjet

Sot në orën 15:00 skadon afati për ankesa të partive politike lidhur me zgjedhjet e 8 qershorit, ndërkohë që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka njoftuar se deri në mesditë ka pranuar 18 ankesa.

Lajme

27/06/2014 15:02

Të gjitha ankesat që do të paraqiten në PZAP duhet të zgjidhen brenda pesë ditësh, më pas bëhet certifikimi i zgjedhjeve, dhe në afat prej 30 ditësh duhet të mblidhet parlamenti i ri.

Mul Desku nga PZAP-i ka thënë për Radio Kosovën se ankesat kanë ardhur nga kandidatët e LDK-së, AAK-së dhe Nismës për Kosovën, por nuk ka treguar për cfarë bëhet fjalë.

“Këto ankesa i paraqesin dy kandidatë nga LDK-ja, njëri i ka pesë, ndërsa tjetri katër; një ankesë është e paraqitur nga një kandidate nga AAK-ja dhe një tjetër nga një kandidat i Nismës për Kosovën, i cili ka paraqitur tetë ankesa”, ka thënë Desku.

“Nuk mund të them tani bazën e këtyre ankesave sepse tani këto janë në fazën e pranimit të tyre, mbetet mu shqyrtua bazueshmëria e tyre dhe Paneli merr vendime lidhur me to”, ka thënë ai.

Me përmbylljen e këtyre procedurave, do të pasoj faza e konstituimit të institucioneve.

Fillimisht do të konstituohet përbërja e re e Kuvendit me organet udhëheqëse, kryetarin dhe kryesinë, kurse më pas do të nisin negociatat politike për krijimin e qeverisë së re.

Sipas kushtetutës, presidenti i vendit i propozon parlamentit kandidatin për Kryeministër, në këshillim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Parlament për të formuar Qeverinë.

E kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë dhe kërkon miratimin nga ana e Parlamentit.

Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë.

Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Interpretimet e ndryshme të dispozitave kushtetuese varësisht edhe nga përkatësia politike e njohësve të kushtetutës dhe debatet shpesh të nxehta rreth kësaj çështjeje bënë që presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, t’i drejtohet gjykatës kushtetuese me kërkesën për qartësim të rolit të saj kushtetues kundruall formimit të qeverisë së re.