Në Prizren diskutohet për treg të përbashkët shqiptar

Ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti dhe homologu i tij nga Shqipëria, Shkëlqim Cani zhvilluan një takim të përbashkët në qytetin e Prizrenit ku diskutuan lidhur me marrëveshjet e arritura ndërmjet qeverive të dyja vendeve në mars të këtij viti.

Lajme

03/07/2015 17:02

Në këtë takim u tha se Grupet Punuese të të dyja vendeve, kanë prezantuar të arriturat në fushën e Doganave dhe të Administratave Tatimore. Ndërsa objektiva kryesore për të dyja ministritë mbetet unifikimi i tregjeve shqiptare dhe lehtësimet në kufirin e dy shteteve.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti tha se qëllimi i këtij takimi është të diskutohen të arriturat deri tash në mënyrë që në muajt e ardhshëm të unifikohen tregjet tona.

“Qëllimi i këtij takimi është të diskutojmë së bashku se ku kemi arrit deri tash, çfarë duhet të bëjmë në muajt të ardhshëm në mënyrë që t’i unifikojmë regjet tona”, tha Hoti.

Ministri Hoti beson se do të identifikohen barrierat që i kanë ndarë këto regje shqiptare deri më tani. Ai pret nga grupet punuese që të identifikohen këto barriera dhe me një plan kohor të tejkalohen.

“Roli i Ministrisë së Financave në të dy anët e kufirit është kyç për të siguruar unifikimin e tregjeve, sepse është promotor edhe i fushave të tjera. Besoj që kemi arritur të identifikojmë plotë barriera që i kanë ndarë tregjet deri më tani. Disa prej tyre veç kanë filluar të marrin rrugë disa, të tjerat besoj se duhet të dakordohemi për një plan kohor se si t’i tejkalojmë ato”, tha Hoti.

Ndërsa, ministri i Financave, Shkëlqim Cani, tha se ka pasur këmbime midis dy Grupeve Punues dhe ka pasur përpjekjeje të realizimit të objektivave të cilat kanë dalë nga takimi i dy kryeministrave në mars.

“Ashtu siç tha ministri, kemi pasur shkëmbime midis dy grupeve të punës në përpjekje te realizmit të plotë të atyre objektivave që ne ua caktuam Grupeve punuese në mars. Në disa drejtime ose në shumicën tyre, ne kemi arrit të përmbyllim me sukses ato objektiva që kishim”, tha Cani.

Sipas tij, qytetarët e Shqipërisë dhe të Kosovës presin që nga taksat e tyre të përfitojnë edhe nga puna e përbashkët e dy Ministrive.

“Në fakt publiku shqiptar në Kosovë dhe në Shqipëri pret çështje konkrete që ai që paguan taksën të marrë edhe përfitimin nga puna e përbashkët e dy ministrive. Këtu ndoshta nuk I kishte ardhur plotësisht koha, o edhe ne nuk e paskemi bërë kujdesin e duhur në mënyrë që gjithkush të marr përfitimet e veta…, sepse ne të gjitha ato objektiva të cilat I vendosëm I kemi realizuar si në Dogana ashtu edhe në tatime. Por, gjithnjë na ngelet ndonjë gjë e vogël në mënyrë që të arrihet atje ku duhet me atë detyrën tonë”, tha Ministri Cani.

Sipas tij, detyra kryesore është që kushdo që paguan taksat, të marrë përfitimet e prekshme nga puna e përbashkët.

Ai gjithashtu tha se objektivë i tyre është që të mos ketë as një brengë dhe as një kufizim tek shqiptarët, dhe siç tha ai shqiptari i Kosovës apo i Shqipërisë të ndjejë vetën në Kosovë dhe Shqipëri në aspektin fiskal.