Në pritje të telefonatës historike, Zoran Zaev: Jam i gatshëm të tregoj lidership

Në pritje të telefonatës historike, Zoran Zaev: Jam i gatshëm të tregoj lidership

Lajme

01/06/2018 23:03

Opinioni vendas dhe ai grek është në pritje të telefonatës historike mes kryeministri, Zoran Zaev, dhe atij grek, Aleksis Cipras, në të cilën pritet të deklarohet dakordimi për pakon e përgatitur nga shefat e diplomacive të dy vendeve përkatëse, me ndërmjetësim të negociatorit Nimic, si dhe të caktohet takimi tet-a-tet për firmosjen e marrëveshjes.

Kryeministri Zaev tha se zgjidhja e kontestit është më afër se kurrë dhe se ai është i gatshëm që të dëshmojë lidership.

“Republika e Maqedonisë kurrë nuk ka qenë më afër gjetjes së një zgjidhjeje të dinjitetshme për kontestin me Republikën e Greqisë, zgjidhje e cila njëkohësisht do të ruajë dhe përforcojë identitetin tonë. Ekziston mundësia për një zgjidhje të tillë për të cilën fjalën e fundit do ta kenë qytetarët e Maqedonisë në referendum. Unë jam i gatshëm që për shtetin tonë sërish të tregoj lidership për të mirën e përbashkët të të gjithë qytetarëve”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Ivanov kundër “erga omnes”

Në ndërkohë, presidenti, Gjorge Ivanov, ka kërkuar nga kryeministri që t’ia dorëzojë propozimin për bisedime me bazë kushtetuese dhe propozim marrëveshjen.

“Qëndrimi i presidentit Ivanov se nuk pranon zgjidhje për çështjen e emrit për përdorim të përgjithshëm është me bazë dhe parim të pandryshueshëm”, – thuhet në kumtesën e presidentit.

Një ditë para protestës, edhe VMRO-DPMNE në opozitë akuzoi pushtetin se ka nxjerrë në ankand interesat shtetërore.

“Çdo ditë, si në treg, po vihen në ankand dhe po shiten interesat shtetërore dhe kombëtare. Me emrin e shtetit po veprohet sikur të ishte emër i një kompanie të Zaevit, larg nga sytë e opinionit. Deri dje Zaev betohej se nuk ka në plan të ndryshojë kushtetutën dhe emrin kushtetues, që më pas të na bind se “Maqedonia e Ilindenit” i tingëllon bukur”,- tha sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev.

VMRO-DPMNE ka paralajmëruar për të shtunën protestën e madhe para Qeverisë, ndërsa një nga mesazhet e protestës ka të bëjë me çështjen e emrit, duke i cilësuar bisedimet si katastrofale dhe shitje e interesave kombëtare.