Në Prishtinë ka mësues me probleme psikike, thotë drejtori i Shpend Ahmetit (Video)

Nxënësit e Prishtinës janë në kontakt të përditshëm edhe me disa mësimdhënës që kanë probleme mentale. Kështu thotë drejtuesit e arsimit të Prishtinës.

Lajme

24/03/2018 11:01

Jonuz Salihu, drejtor i Arsimit në Komunën e Prishtinës, ka thënë të enjten në Asamblenë e Prishtinës se në shkolla, pos që ka arsimtarë me probleme të sëmundjeve malinje, ka edhe me probleme të shëndetit mendorë. Ai ka kërkuar nga asamblistët mbështetje për rregullimin e legjislacionit që këta arsimtarë të dërgohen në pushim të parakohshëm.

“Ne kemi telashe serioze me disa arsimtar nëpër shkolla, sepse janë të sëmurë nga sëmundjet malinje dhe detyrohet që të vinë në shkollë. Kam kërkuar dhe po kërkoj nga ju që ta mbështesni iniciativën që këta njerëz të dërgohen në pension të parakohshëm me një pagë prej 70 për qind. Por, diku diku kemi edhe me probleme mentale. Kemi probleme të mëdha, dhe ata fëmijë e pësojnë nga ne të rriturit. Kështu që, nuk është vetëm problemi i lehonave sepse ato i zëvendësojmë disi, por ne kemi probleme me një njeri që i maltreton fëmijët më vite të tëra dhe nuk mund ta largojmë nga sistemi, sepse nuk e kemi të lehtë. Kjo ngase duhet një komision mjekësor e kështu më radhë”, ka thënë Salihu.

Këto komente Salihu i bëri pasi u pyet nga një asamblist lidhur me atë se çka po bënë Komuna për përgatitjen e testit PISA. Drejtori i Arsimit foli edhe për çështje tjera të arsimit në Komunën e Prishtinës, shkruan lajmi.net.

Pos drejtorit të arsimit, ka edhe drejtor të shkollave të cilët pretendojnë se në shkollat e tyre ka mësimdhënës me probleme të shëndetit mendorë. Lajmi.net, ka mësuar se ditë më parë një arsimtare (emër i njohur për redaksinë), nuk ia kishte dhënë ditarin e punës një mësimdhënëse, deri sa kishte ndërhyrë Policia e Kosovës. Drejtori i shkollës ka thënë se arsimtarja ka pak probleme psikike.

“Kanë pasur një mosmarrëveshje të vogël për ditarin. E kanë zgjidhur menjëherë problemin, por arsimtarja është pak arrogante, në fakt ka probleme psikike. Kështu më kë ka thënë edhe ajo vetë. Tash edhe pak del në pension”, ka thënë para pakë ditëve për lajmi.net ky drejtor i shkollës.

Ndërkohë, arsimtarja e kontaktuar nga lajmi.net ka mohuar se ka probleme të shëndetit mendore.

“Kemi pasur një zekë të vogël, por ia kam dhënë ditarin më pastaj. Probleme psiqike nuk kam, edhe pak dal në pension. Nganjëherë nuk po mundem durojë këto të mësueset e rejat”, ka thënë arsimtarja.

Rastin e zënkës për ditarin e punës, për lajmi.net e ka konfirmuar edhe Policia.

“Policia ka qenë në këtë shkollë dhe nuk ka hapur ndonjë rast, pasi bëhej fjalë për një mosmarrëveshje për ditarë”, ka thënë para pakë ditësh Flora Ahmeti, zyrtare për informim në Policinë e Kosovës për regjionin e Prishtinës. /Lajmi.net/

YouTube player