Në Pejë digjet vetura, grabitet kazino

Policia në Pejë ka njoftuar për një veturë “Renault” të djegur tërësisht. Përballë kësaj veture, tre të dyshuar me maska kanë vjedhur një shumë të holla në zyrat e kompanisë “Kajot”.

Lajme

12/12/2013 14:47

Një veturë e tipit “Renault” ka marrë flakë mbrëmë rreth orës 20:00 duke u djegur pothuajse tërësisht, në rrugën “Lidhja e Pejës”.

Përballë veturës që po digjej kishte ndodhur një grabitje e armatosur nga tre të dyshuar me maska, të cilët nën kërcënim armësh kanë arritur të grabisin në zyrat e kompanisë “Kajot” një shumë parash.

Gjatë kësaj grabitje pistoleta e njërit nga të dyshuarit kishte shkrepur, me ç’rast kishte lënë të lënduar njërin nga viktimat, i cili është transportuar drejt emergjencës së Spitalit rajonal të Pejës, ku sipas mjekëve viktima është vlerësuar me plagë të lehta.

Në vend të ngjarjes janë gjetur disa dëshmi, armë automatike AK 47 me një karikator dhe municion, të cilat do të ekzaminohen. Edhe vetura e djegur, e dyshuar për përfshirje në këtë rast është ekzaminuar po ashtu.

Hetuesit rajonalë në koordimim të plotë me Prokurorinë e shtetit, janë duke punuar intenzivisht për të identifikuar dhe arrestuar personat e mundshëm të dyshuar, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.