Filloi protesta në Shkup (Video live)

E plotësuar - Si asnjëherë më parë, në këtë protestë masive janë duke marrë pjesë të gjithë qytetarët e Maqedonsië, pa dallim përkatësie etnike, raporton agjencia e lajmeve INA.

Lajme

17/05/2015 11:59

Ata po mbajnë pankarta në duar, ku shkruan “Poshtë regjimi mafioz i Nikolla Gruevskit”, “Lamtumirë Nikollë”, “Liri dhe demokraci për Maqedoninë” etj.

Në këtë protestë po marrin pjesë edhe shumica e diplomatëve perëndimorë në Shkup dhe gazetar të medieve prestigjioze botërore.

Protesta e sotme organizohet pas dorëheqjes së disa ministrave nga kabineti qeveritar dhe incidentit të armatosur në qytetin e Kumanovës.

Kryeministri Gruevski nuk i është përgjigjur kërkesë së parashtruar për dorëheqje duke shtuar se nuk do të largohet sepse “ka legjitimitetin e popullit”.

Në orën 14, të gjithë kundër Gruevskit

Në rrjetet sociale, shqiptarët e Maqedonisë janë duke bërë thirrje që të dalin në numër sa më të madh në rrugët e Shkupit për të kërkuar rrëzimin e Qeverisë së Gruevskit. Daljen në rrugë për ta rrëzuar Gruevskin thuhet se e mbështesin edhe Qeveria e Shqipërisë edhe ajo e Kosovës.

Sot, bashkërisht, shqiptarët dhe maqedonasit për herë të parë pritet të dalin në rrugë për një kauzë të njëjtë: rrëzimin nga pushteti të kryeministrit autoritar, Nikolla Gruevski, i cili dyshohet për shumë krime të kryera gjatë qëndrimit të tij në krye të qeverisë.

Gazeta Express mëson se shqiptarët e atjeshëm tashmë kanë marrë instruksionet e duhura prej qeverive të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë që të jenë pjesë e protestës.

Protesta e sotme e madhe është thirrur nga opozita, gjegjësisht LSDM e Zaev-it. Ky lider opozitar ka muaj që ka filluar publikimin e audio përgjimeve diskredituese për Qeverinë Gruevski. Të gjitha këto përgjime të publikuara flasin për krime monstruoze të kësaj qeverie, për korrupsion të përmasave pandemike.

Protesta në Shkup fillon në orën 14 dhe ajo vjen një javë pas dhunës në Kumanovë, ku u vranë tetë policë maqedonas dhe mbi 10 shqiptarë kryengritës.

Mediat më serioze botërore po raportojnë se kjo dhunë ka mundur të ketë qenë e inicuar nga vet Gruevski, për të larguar vëmendjen e opinionit nga korrupsioni, si dhe për të parandaluar protestën e sotshme.

YouTube player