Në Muzeun e Forcave të Armatosura hapet pavioni i ri i Skënderbeut

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka shprehu angazhimin e ministrisë që drejton për të gjitha aktivitetet që do të zhvillohen në kuadër në vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut.

Lajme

14/04/2018 16:51

Në kuadër të vitit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut është hapur një pavion i ri në Muzeun e Forcave të Armatosura në Tiranë. Aty janë të ekspozuara sende që kanë lidhje me heroin kombëtar, armë të përdorura në atë kohë, harta dhe stema të principatave të Arbërit dhe mjaft dokumente të tjera.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka shprehu angazhimin e ministrisë që drejton për të gjitha aktivitetet që do të zhvillohen në kuadër në vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut.

“Ky pavijon është vetëm një simbolikë e angazhimit tonë për Vitin e Skënderbeut, ndërkohë që, muaj më parë FA kontribuoi në rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e varrezave të dëshmorëve dhe monumenteve të kulturës në të 12 qarqet e vendit. Shumë shpejt në kuadër të angazhimeve për Vitin e Skënderbeut, truproja e nderit dhe orkestra frymore e FA do të kenë një imazh tërësisht të ri dhe dinjitoz për të përfaqësuar një vend, ku heroi kombëtar ka qenë një prej strategëve më të mëdhenj të luftës. Historia dhe faktet dëshmojnë se, kur vlerat më të mira të traditës sonë projektohen në të ardhmen, e sotmja është edhe më e sigurt”, ka thënë ajo.